Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Në samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, të mbajtur në Rejkjavik në 16-17 maj 2023, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij zyrtar lëshoi befasinë e rradhës se “Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzistuese qysh prej vdekjes së Josif Visarionoviç Stalin“. (Sipas tekstit në faqen zyrtare të qeverisë).
Afishohet si qendrim zyrtar një shtrembërim i së vërtetës historike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë, që nuk nderon as folësin dhe as shtetin, që ai përfaqësonte në një samit solemn para mbi 30 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Europës.
I duhet gëzuar faktit që Rusia nuk merrte pjesë në samitin e Rejkjavikut, sepse mund të ndodhte që përfaqësuesi i Rusisë të ngrihej dhe t’ia rrëzonte poshtë kryeministrit të Shqipërisë këtë të pavërtetë historike të marrëdhënieve dypalëshe, duke i rreshtuar atij dhe auditorit të lartë diplomatik pak fakte të periudhës pas Stalinit:
-Në 14 maj të vitit 1955 Shqipëria pranoi të bëhet nga Rusia anëtare e Traktatit Ushtarak të Varshavës, i krijuar dhe i drejtuar nga Moska.
-Në vitin 1956 Shqipëria dhe Rusia ngritën nivelin e marrëdhënieve diplomatike nga misione në nivel ambasadash.
-Në 12 shtator të vitit 1957 Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Rusisë nënshkruan marrrëveshjen dypalëshe për ngritjen e bazës ushtarako-detare ruse në Pashaliman të Shqipërisë, dhe për të vendosur forcat ushtarake ruse në territorin shqiptar.
-Në maj të vitit 1959 Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Rusisë dhe kryeministër i Rusisë, Nikita Hrushov, zhvilloi një vizitë të gjatë dyjavore në Shqipëri.
Kjo është e vërteta e marrëdhënieve dypalëshe pas vdekjes së Stalinit në periudhën e viteve 1953-1961, që nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet dhe as të fshihet, sepse përndryshe shndrrohet në një alibi dhe amnisti për periudhën e satelitizmit të Shqipërisë nga Moska dhe kur Shqipëria kaloi nga semafori serb te semafori rus.
Nuk ka informacion se cila mendje kozmike i ka futur në fjalim kryeministrit këtë idiotizëm historik. Në këto rrethana të pakëndëshme diplomatike, akademike, historike, kombëtare dhe ndërkombëtare, bëhet emergjente që pranë kryeministrit të Shqipërisë të dërgohet si ndihmës një historian, që t’ia mësojë dhe t’ia shkruajë temat dhe çeshtjet historike siç kanë ndodhur vërtet dhe jo si shpikje historiko-kulturore të një nate të bukur islandeze.
—-
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.