Home Gjeo-Ekonomia Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qëndrore e Lindore dëshmon vitalitetin e...

Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qëndrore e Lindore dëshmon vitalitetin e tij në Ekspozitën e Ningbo

Tani kur mekanizmi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore (EQL) ka nisur dekadën e dytë të funksionimit të tij duket qartë se në më shumë se dhjetë vjetë që nga themelimi i tij me 2012 kjo iniciativë ka luajtur një rol vital në nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shkëmbimeve njerëzore ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Në dinamikën e veprimtarisë të kësaj iniciative organizimi i Ekspozitës vjetore në Ningbo, provinca Zhejiang në Kinën lindore, që u hap më 16 maj 2023, është bërë një ndër ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e shkëmbimeve tregtare midis Kinës dhe vendeve të EQL dhe krijimin e mundësive të reja për diversifikimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës.  

Foto:VCG

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

Duke folur për këtë ngjarje të rëndësishme, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha në një konferencë shtypi se kjo Ekspozitë është një nga platformat më të rëndësishme të mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë – Vendet e Europës Qendrore e Lindore. Ajo ka tërhequr mbi 3000 ndërmarrje, 30 % më shumë se në edicionin e vitit të kaluar, mbi 400 prej të cilave nga vendet e EQL-së. Parashikohet se mbi 100.000 vetë do të marrin pjesë në këtë ekspozitë dhe veprimtari të tjera, të cilat sipas Wenbin kanë të bëjnë me tema institucionale në fusha të ndryshme në kuadër të mekanizmit Kinë – EQL, si mbledhja e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Dialogu i Bashkëpunimit të Inspektimit Doganor dhe Karantinës. Kina dëshiron të ndajë dividentin e zhvillimit të vet me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të promovojë më shumë rezultate praktike të bashkëpunimit dhe të arrijë përfitime të ndërsjella, deklaroi Zëdhënësi. 

Ndërsa zëvendës guvernatori i Zhejiang Lu Shan tha ndër të tjera se janë planifikuar një sërë aktivitetesh ekonomike dhe tregtare, duke përfshirë një panair blerjesh për produkte nga vendet e EQL-së për të ndihmuar ekspozitën të arrijë rezultate pragmatike. Në këtë edicion të ekspozitës pritet të ketë porosi për blerje me vlerë mbi 10 miliardë juanë (rreth 1.45 miliardë dollarë) për mallra nga vendet e EQL-së, sipas Li Guanding, nënkryetar i bashkisë së Ningbos.

“Bashkëpunim e zhvillim, në pritje të së ardhmes së bukur” ishte motoja e mbledhjes së  7-të e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore, e cila u zhvillua në qytetin Ningbo më 15 maj, një ditë para hapjes së Ekspozitës dhe Panairit.

Gjatë nëntë vjetëve pas themelimit, Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së është zhvilluar dhe është shndërruar në një pjesë të rëndësishme përbërëse të bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Ren Hongbin në fjalën e tij në mbledhje ku morën pjesë mbi 300 përfaqësues të organeve qeveritare kineze e të vendeve të EQL-së, të ambasadave të vendeve të EQL-së të akredituara në Kinë, të shoqatave tregtare, të ndërmarrjeve etj.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

“Në të ardhmen, Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së do të krijojë më shumë platforma për shkëmbimet ndërmjet ndërmarrjeve të të dy palëve, duke i inkurajuar ato të zhvillojnë një bashkëpunim më të gjerë e më të thellë”, ai tha.

Si tribunë e hapur për shkëmbim konstruktiv mendimesh për punën në të ardhmen zëvendës drejtori i Drejtorisë së Investimeve e Tregtisë të Polonisë Grzegorz Ostzast tha në videofjalimin e mbajtur në mbledhje se vendet pjesëmarrëse në iniciativë, duke përfshirë Poloninë, mirëpresin më shumë investime nga kompanitë kineze.

Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së është një mekanizëm i bashkëpunimit industrialo-tregtar midis dy palëve i krijuar në vitin 2014 sipas konsensusit të arritur në “Programin e Bukureshtit për bashkëpunimin mes Kinës e vendeve të EQL-së”, i cili është pjesë e rëndësishme përbërëse e mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së. 

Organizimi i veprimtarive të shumta si ekspozita në Ningbo dhe veprimtari të tjera të lidhura me përparimin e mëtejshëm të veprimtarisë së këtij mekanizmi janë bërë ngjarje që dëshmojnë për vitalitetin dhe frymën bashkëpunuese të palëve me synimin për të çuar më tej marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe shkëmbimet njerëzore midis Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë lulëzuar gjatë dekadës së fundit, pavarësisht sfidave globale si pandemia COVID-19 dhe ngadalësimi i frikshëm i ekonomisë botërore. Sikur të mos mjaftonin këto, bota por në mënyrë të veçantë Europa janë prej më shumë se 40 muajsh nën trysninë e luftës në Ukrainë, e cila veç pasojave tragjike të vendeve ndërluftuese po godet ekonomitë europiane jo vetëm nga bumerangu që shkaktojnë sanksionet perëndimore të drejtuara nga SHBA ndaj Rusisë,  por edhe nga problemet e mosfunksionimit të zinxhirit të furnizimit në shkallë globale. 

Prandaj rritet akoma më tej rëndësia e Kinës si partneri më i madh tregtar i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore jashtë Bashkimit Evropian, burimi më i madh i investimeve të huaja direkte. Kështu për shëmbull kuadri gjithëpërfshirës i mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL ka prodhuar në dhjetë vitet e fundit rezultate të prekshme në 20 sektorë dhe 15 platforma të ndryshme.

Deri më tani, shkalla e investimeve të dyanshme midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL) ka arritur rreth 20 miliardë dollarë, tha zëvendësministri i Tregtisë Li Fei. Li i bëri komentet në një konferencë shtypi mbi bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar Kinë-EQL dhe Panairin e 3-të Kinë-EQL dhe Panairin Ndërkombëtar të Mallrave të Konsumit, mbajtur nga Zyra e Informacionit e Këshillit Shtetëror të Kinës (SCIO) në mars të këtij viti. Në tremujorin e parë të vitit 2023, investimet direkte të Kinës në vendet e EQL-së u rritën me 148 për qind nga viti në vit, sipas Li.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

“Kompanitë kineze janë të prirura të investojnë në këto rajone në fusha të tilla si pjesët e makinave, pajisjet shtëpiake, mjekësia, logjistika, energjia dhe mineralet”, tha zëvendësministri.

Tregtia e Kinës me vendet e EQL-së është rritur me një normë mesatare vjetore prej 8.1 për qind që nga viti 2012, me importet e Kinës nga këto vende që janë rritur mesatarisht 9.2 për qind nga viti në vit, sipas të dhënave zyrtare. Në tremujorin e parë të këtij viti, tregtia e dyanshme arriti në 33.3 miliardë dollarë, 1.6 për qind më shumë se një vit më parë, duke treguar një fillim të qëndrueshëm dhe pozitiv.

Si një projekt i madh strategjik i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së, trenat Kinë-Europe ofrojnë mbështetje të fortë për thellimin më tej të bashkëpunimit dypalësh. Numri i trenave të mallrave Kinë-Europë ishte 16,000 në vitin 2022, me një rritje prej 9 për qind nga viti në vit. Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe vende të tjera janë bërë destinacione kyçe për trenat e mallrave Kinë-Europë.

Funksionimi i trenave Kinë-Europë ka luajtur një rol mbështetës në promovimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis Kinës dhe vendeve përkatëse, veçanërisht vendeve të lidhura me trenat Kinë-Europë, dhe në ruajtjen e qëndrueshmërisë së zinxhirëve të industrisë e të furnizimit. Kjo u ndje shume gjatë kohës së pandemisë kur linja hekurudhore u bë mjeti më efikas për furnizimin e shumë vendeve europiane, përfshi edhe Shqipërinë, me pajisje mjekësore të nevojës së pare, të cilat mungonin pothuajse totalisht ne shume vende europiane. Nuk ka kaluar shumë kohë nga kriza kovidiane por janë akoma të freska pamjet kur trenat kineze, që transportonin pajisje mjekësore, arrinin në destinacione të ndryshme të cilat ishin në luftë të ashpër me pandeminë vdekjeprurëse.

Për sa i përket përpjesëtimit, vlera e importit dhe eksportit ndërmjet Kinës dhe 24 vendeve të lidhura me trenat Kinë-Europë përbën 17.4% të vlerës të përgjithshme të tregtisë së jashtme të Kinës.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

“Në dhjetë vjetët që nga themelimi i tij, mekanizmi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe shkëmbimeve njerëzore, nëpërmjet ndërtimit të mekanizmit dhe nxitjes së bashkëpunimit konkret”, thotë ish-drejtori i Departamentit për Çështjet Europiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann.

 Efektiviteti i mekanizmit Kine-EQL merr vlerë të shtuar për faktin se Kina është futur ndër vendet innovative dhe tregues për këtë është fakti se ajo është ngjitur nga vendi i 34-të në vitin 2012 në vendin e 11-të në renditjen globale të treguesve të inovacionit vitin e kaluar. Sipas të dhënave, investimet e Kinës në kërkim dhe zhvillim u rritën në 3 trilionë juanë në vitin 2022, nga 1 trilion juanë në 2012-n, duke u trefishuar. Gjatë kësaj periudhe, numri i personelit tekniko-shkencor u rrit nga 3.25 milionë në mbi 6 milionë, duke zënë vendin e parë në botë për shumë vjet.

Aktualisht, në risitë e njohurive, Kina është bërë një forcë e rëndësishme në botë, duke qenë jo vetëm një kontribuuese në këtë fushë, por edhe promovuese e zgjidhjes së çështjeve globale të shkencës dhe teknologjisë. 

Në vitin 2013, presidenti kinez Xi Jinping paraqiti Iniciativën “Një Brez, Një Rrugë” (BRI), e cila synonte ndërtimin e një platforme të re për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rivitalizmin e mëtejshëm të objektivit për zhvillim të përbashkët, gjë që po bëhet realitet për ditë e më shumë. Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (EQL), duke qenë pjesë e rrjetit logjistik që lehtëson lidhjen tokësore midis Azisë dhe kontinentit europian, janë bërë një komponent jetik i kësaj mega skeme. Kështu BRI ka krijuar sinergji me platformën e bashkëpunimit Kinë-EQL, duke krijuar më shumë hapësirë për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Kinës dhe vendeve europiane. 

E konkretisht ka shumë projekte të mëdha infrastrukturore që janë realizuar ose janë në ndërtim e sipër në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe për tu përmendur janë hekurudha Hungari-Serbi një projekt simbol i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Aktualisht është hapur për qarkullim pjesa nga Beogradi në Novi-Sad dhe kohët e fundit nisi zyrtarisht shtrimi i hekurudhës ndërmjet Novi-Sadit në Serbi dhe qytetit kufitar Suboticë. Pas ndërtimit dhe vënies në funksionim të hekurudhës, koha e udhëtimit hekurudhor ndërmjet kryeqyteteve të Hungarisë dhe Serbisë do të shkurtohet nga 8 orë në rreth 3 orë. Hekurudha do të promovojë gjithashtu ndjeshëm ndërlidhjen ndërmjet Serbisë e Hungarisë, madje edhe ndërmjet vendeve të Europës Juglindore.

Ndërkohë në Ballkanin Perëndimor, po realizohen disa projekte të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimi i autostradave dhe urave në Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni, si dhe investimet në portin e Pireut në Greqi nga COSCO dhe Porti i Varnës në Bullgari nga CMEC. Janë për tu përmendur projektet e rëndësishme të infrastrukturës energjetike që transferojnë teknologjinë e avancuar të Kinës në rajon. Të gjitha këto projekte padyshim luajnë një rol të madh në zhvillimin socio-ekonomik në rajon, duke hapur rrugën për integrim të mëtejshëm global të tyre.

Hekurudha Serbi-Hungari në ndërtim e sipër(Foto:VCG)

Hekurudha Serbi-Hungari në ndërtim e sipër(Foto:VCG)

Përveç ndërtimit të infrastrukturës së transportit, si hekurudhat dhe autostradat, bashkëpunimi konkret ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së në fushat e zhvillimit të gjelbër me karbon të ulët dhe të energjisë së re po bëhet një pikë e re “e nxehtë”. Centrali i energjisë fotovoltaike i Kaposvárit në Hungari, centrali i energjisë së erës i Mozula-s në Malin e Zi, centrali me cikël të kombinuar i Pançevos në Serbi, projekti i ndërtimit të hidrocentralit të Ulogut në Bosnjë dhe Hercegovinë, një sërë veprash kyçe të bashkëpunimit energjetik kanë filluar të ndërtohen ose janë vënë në punë, duke sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe mjedisore për zonën lokale.

Ekspozita impresionuese në Ningbo, mbledhja  e 7-të e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore mbajtur nën moton “Bashkëpunim e zhvillim, në pritje të së ardhmes së bukur” si dhe një sërë aktivitetesh të tjera gjatë kësaj jave (16- 20 maj) në kuadrin e mekanizmit Kinë-EQL janë një vlerë e shtuar në forcimin e diversifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm të vendeve anëtare të këtij mekanizmi, i cili sikurse deklaroi Presidentit Xi Jinping në fjalimin e mbajtur në Samitin Kinë-CEEC në Pekin më 9 shkurt 2021, është bazuar në respektin e ndërsjellë, nuk ka lidhje politike dhe të gjitha vendet e përfshira, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë partnerë të barabartë në një mekanizëm bashkëpunimi që karakterizohet nga konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta./CRI

Share: