Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera “Në hyrja të Shkodrës më priti posteri i Luizit! Ndjeva trishtim”

“Në hyrja të Shkodrës më priti posteri i Luizit! Ndjeva trishtim”

SHKODRA…

Në sytë e mi… Nga Endira Bushati

Unë jam larguar nga Shkodra në 1995. Ishte koha kur Shkodra gëzonte. E dalë, me statistika, qyteti më i persekutuar gjatë komunizmit, në Shkodrën e atyre viteve shpërtheu një pasion e energji kudo, mbi shtetin, demokracinë, filozofinë, letërsinë, muzikën, teatrin, humorin… Ishte shpërthimi që krijon liria e shpresa.

Kujtoj me nostalgji shëtitjet me tim atë në Pjacë, ku takonim miq e shokë e vonoheshim deri mesnatave mes këtyre bisedave e diskutimeve…

Ishte koha kur krenari quhej të ishe gjimnazist i shkëlqyer i “28 Nëntorit” apo “Jordan Misjes”.

Ishte koha kur profesorët e gjimnazit na quanin “zogj zotnish”, i kishim kushërinj a shokë të prindërve, por nota s’na falnin…as na përkdhelnin..

Ishte koha kur, të varfër, por pyetej e diskutohej:

  • a e din aq mirë italishten sa me lexu “I promessi sposi” të Manzonit?
  • A e ke mbaru “Mauger 2” në frëngjisht? Po “Essential 4”?
  • A e lexove librin e fundit të Kadaresë?
    -Kishin dalë Poezitë e Fishtës, a e lexove Gomarin e Babatasit?
  • Shko merr “Kështu foli Zarathustra” të Niçes, se një kopje kishte mbet…

Kjo Shkodër romantike, tani nuk është më! Ky brez, në shumicë emigroi ose është në Tiranë. Kjo elitë intelektuale tashmë e sheh Shkodrën nga larg dhe ndjen dhimbje. Kjo shumicë sunduese e jetës së qytetit është zëvendësuar tashmë dhe bëjnë përpjekje titanike familjet qytetare në Shkodër për të përcjellë këtë trashëgimi, jehonë e mbajtur këtë frymë tek fëmijët e tyre!

Para 1 muaji isha në Shkodër. Në hyrje më priti Posteri i Luizit… Një përzierje trishtimi, keqardhjeje e mospërkatësie nuk më lëshoi gjithë ditën. Fenomeni i “luizërisë” ekziston edhe në Francë, Itali a Angli, por në ndryshim nga ne, vendet e vogla e të varfra, aty vazhdohet të prodhohet elitë intelektuale, profesori mbetet profesor, artisti artist,
shkrimtari shkrimtar, politikani politikan…

Shkodra, pas 32 vitesh ra në dorë të së majtës.
Në një kontekst tjetër, me demokraci e institucione të zhvilluara, me sundim të ligjit, zhvillim ekonomik e të qëndrueshëm, kjo nuk do të përbënte ndonjë hata…por pikërisht, tani, në pikën më të rrezikshme të këtyre 3 dekadave, ky dorëzim nuk duhej të kishte ndodhur…

Përgjatë këtyre 32 viteve, ky qytet i qëndroi besnik trashëgimisë së vet perëndimore mbi 2 mijë vjeçare. I quajtën shkodranët fanatikë të PDsë, sepse nuk kuptonin që shkodranët i qëndronin besnikë ADNsë së tyre perëndimore, një ADN e krijuar gjatë shekujve, para se PD të krijohej, por që PD e mori përsipër ta përfaqësonte pas 1990.

PD në Shkodër pati 1001 mëkate gjatë 3 dekadave, shpesh në dorë të paaftëve, me nënpërfaqësim në raport me elitën shkodrane, arrogante në vetëbesimin e saj si fitimtare gjjthmonë…

Të gjitha këto, qytetaria shkodrane i dinte, i kuptonte, i tallte, por ADNnë e saj nuk mund kurrsesi ta tradhtonte.

Partia Demokratike, në Shkodër, më shumë sesa njerëzit e saj, ka qenë një institucion i fortë e i qëndrueshëm në këtë qytet. Njerëzit e partisë iknin, vinin, ndërroheshin, por institucioni i PD mbetej si gur themeli.

Shkodranët, shumë shpejt do ta kuptojnë se, arroganca e PDsë, sado e kritikueshme të ketë qenë, ka qenë garanci për qytetin, për lirinë e paqen sociale të tij.

Kjo Shkodër, krenare e kryeneçe, por e gjunjëzuar nga varfëria, më 14 maj, mund të merrej vetëm në një formë, me formën e ditur ndër shekuj, me Kalë Troje! U zgjodh Beneti, jo socialist tipik, familje qytetare, me rekorde me PDnë, profil teknik e i ekuilibruar…

Të jesh Kryetar i Bashkisë Shkodër është puna më e vështirë në botë! Shkodranët kanë një mikroskop elektronik të fuqishëm që të nesërmen e zgjedhjes, mikroskop që vështirë se e kalon njeri. Kam frikë se Beneti nuk e di akoma këtë…

Unë, si çdo shkodran tjetër në glob, përtej përkatësive politike, do të doja shumë që Beneti të bënte diçka për Shkodrën. Do të doja shumë që Beneti të rrethohej me elitë intelektuale e profesioniste për t’i dhënë shkëlqim Shkodrës…

Por…Koha do të tregojë që Beneti “ishte loja”…. (dhe në këtë rast do të donim shumë ta kishim gabim…)

Vetë Beneti, shumë shpejt, do ta shohë veten të rrezikuar thjesht si firmëtar i dëshirave të Ramës, Tomës & Co…siç e panë Ditmiri e Senida…të cilëve Rama ua preu karrierën në mes kur nuk u konformuan…

Krimi në Shkodër nuk ka pasur kurrë frikë as nga policia, as nga gjykata e as Qeveria qendrore.
Koha do të tregojë që të vetmin institucion që krimi i organizuar nuk e kapërcente dot në Shkodër, ishte Partia Demokratike, ashtu siç ishte, shpesh herë arrogante e që e merrte qytetin për të mirëqënë.

“Shkodra nuk ra, por u ngrit..” – paska thënë Spiropali.
Kur je i cekët, quan që “Shkodra bahet” pse bën hyrjen e qytetit me beton e pemë…

Shkodranët, “shkëlqim” të qytetit quajnë shkëlqimin e artit, kulturës, teatrit…. shpirtërores e intelektuales. Betoni e pemët bëhen me miliona….për kulturën e artin, milionat nuk mjaftojnë.

Share: