Home KRYESORE Nga cikli ‘Kafe për llafe’ Nga Çapajev Gjokutaj

Nga cikli ‘Kafe për llafe’ Nga Çapajev Gjokutaj

Kamarieren nuk e mban vendi. I qeshin sytë e i ndrisin mollëzat.

  • Sikur të mos ma kishit thënë, do vija dorën në zjarr që Neta ka rënë në dashuri, – buzëqeshi Lilua.

Në fakt vajza e kamarieres ka bërë djalë. Eshtë emigrante në Oslo dhe Neta e ka parë të nipin vetëm në video.

  • E ka me hak të gëzohet – tha Naqja – ka qenë në merak. S’thonë kot, lindja e fëmijës fqinjëron me vdekjen. Pastaj, largësia zmadhon merakun dhe e kthen në frikë.

Ilmiu e shpjegoi ndryshe. I porsalinduri sjell gëzim për gjyshërit, edhe kur janë larg, se u krijon ndjesinë e vazhdimësisë.

  • Ç’janë këto intelektualizma! – prishi buzët Naqja. Dhe shtoi se për vazhdimësinë vështirë se mendojmë edhe ne, që jemi të lexuar; pa le më Neta, që sheh vetëm telenovela turke.
  • S’ka nevojë të jesh i lexuar, – tha Lilua -gëzimi që sjellin bebet nuk lidhet me intelektin e librat, por me instikte të stërlashta.
  • Fillove nga froidizmat?! – u nervozua Naqja.
  • S’janë froidizma, po darvinizma, – qesëndisi Lilua dhe shtoi se të gjithë njerëzit, pleq a të rinj qofshin, buzëqeshin sa shohin një bebe. Madje, prej vetiu janë gati ta përkëdhelin e të përkujdesen.

Si heshti një grimë, tha se këto ndjesi i provojmë edhe kur shohim qengja e keca, këlyshë e kotele. Eshtë instikti i ruajtjes së jetës, rrënjosur në psiqikën tonë gjatë luftës për mbijetesë.

  • Ngjan si instiktive e iracionale, por në thelb është materiale – ndërhyri Qaniu.

Pastaj shtoi se antropologët kanë përpunuar konceptin ‘skema e bebes’. Sipas këtij, thuajse gjithë të vegjlit, të njeriut a të kafshës qofshin, kanë disa tipare të përbashkëta: kokë të rrumbullakosur e disi të madhe krahasuar me trupin, sy të mëdhenj, hundë pipiruqe, buzë të njomështa, flokë a gëzof të butë, prirje për të lodruar e të tjera gjëra që të grishin për dhembshuri e përkujdesje.

  • Shkencë e madhe ka plasur – shpotiti Qebiri- e thoshte dhe xha Lefteri: shkenca nauka, karandash kalemi.
  • Po sikur të jenë të gjitha bashkë? Edhe instiktivja e materialja, edhe meraku e arsyetimi, edhe ndjenja e intelekti?- përsiata unë.
  • Ja dhe oportunisti! Edhe me Lenën, edhe me Prenën! – më qesëndisi Lilua.

Në darkë, para se të më merrte gjumi, i kujtova të gjitha këto dhe vrava mendjen: Fëmijët rrezatojnë paqe e mirësi. Pse, duke folur për ta, gati-gati u zumë dhe asnjeri nuk lëshoi pe?

Kulturë patriarkale me burra që s’tunden nga istikami? Dogmatizëm totalitar: ka një dhe vetëm një të vërtetë? Apo egoizëm pleqsh, që kompesojnë dobësinë duke këmbëngulur në të tyren?

Në gjumë m’u bë Jack Nicholson. Po i angullinte hënës, si tek filmi ’Ujk’.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: