Home KRYESORE Një bythë që është mësuar të pjerdhë, edhe në most pjerdhtë do...

Një bythë që është mësuar të pjerdhë, edhe në most pjerdhtë do fëndë. …

Nuk e di pse sot në mëngjes m’u kujtua ky proverb i vjetër.…

Nga Çapajev Gjokutaj

Mbase ngaqë mbrëmë, me miqtë e kafenesë, folëm gjatë për huqin e politikanëve që të thonë gënjeshtra, herë të mëdha e herë të vogla, po kurdoherë kutërbuese. Pjerd*in nga goja orë e pa kohë, mjerë godina e parlamentit!- bëri të merakosurin Beqiri, kurse Lilua u ngrit në këmbë dhe filloi të imitonte atë parodistin e Vlorës, ndjesë pastë, kur tregonte historinë e qypit me mjaltë çudibërës😂. E kini me deputetët apo me rrogat që i ngritën vetes?, pyeti kamajerja mes kukurisjeve.

Ndërkohë që risillja në mënd gjithë atë gajasje, m’u kujtua se në ëndërr, pak orë më parë, më qe fanitur një vajzë e pakrehur. Lante papushim duart në një çezëm dhe kur ngriti kokën më pa e çmeritur. Herë më bëhej se çezma ndodhej në avllinë e një shtëpie karakteristike tiranase, nga ato me qerpiç, dhe herë më ngjante se ndodhej në koridorin e një spitali psiqiatrik.

Ëndrrat si ëndrrat, thashë me vete duke u ngritur nga krevati, por në çast më feksi në mend se fanepsja s’qe nga hiçi. Vajza duhej të ishte ajo e një historie të dhimbshme, që e kisha dëgjuar dekada të shkuara. Vajzën s’e kisha njohur, po historia ishte sa e dhimbshme, aq edhe absurde.

E kishin fejuar të gjorën më në fund dhe kishte dalë me të fejuarin për herë të parë. S’dihet në e pati nga emocionet apo nga që i qe bërë zakon, po fakti është se i shkau një përce. I fejuari, i prekur në namuz, nuk i tha gjysëm fjale po e ktheu në shtëpi dhe ua la të sajve si një mall pa vlerë.

Me sa duket edhe të sajtë nuk ia falën po e mbytën me qortime për të pabërën që u kishte bërë😖. E shkreta vajzë, rastisi delikate, nuk e mbajti dot gjithë atë tension dhe pas ca ditësh shkau nga trutë. Ashtu e shkarë e kalonte një pjesë të mirë të ditës duke larë duart e duke fajësuar veten për ‘gjëmën’ që kishte bërë🥺

Absurde, thashë me vete, ndërkohë që kisha filluar të rruhesha. Atje ku flitet shumë për moral e rregulla strikte, kanë frikë nga njeriu e nga njerëzorja, mendova ndërkohë që ai tjetri, i lyer me shkumë, po më ngërdheshej nga pasqyra.

( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )

Share: