Home Gjeo-Ekonomia Pak para zgjedhjeve, Greqia merr vendimin për refugjatët

Pak para zgjedhjeve, Greqia merr vendimin për refugjatët

Në prag të zgjedhjeve të 21 majit në Greqi, emigracioni është një nga çështjet kyçe, me qeverinë që ka vendosur të mbrojë kufirin tokësor me Turqinë.

Athina zyrtare ka njoftuar zgjatjen e gardhit që mban larg refugjatët dhe emigrantët, por planifikon gjithashtu të rrisë kapacitetet e Qendrës së Pritjes dhe Identifikimit në Evros.

Greqia nuk dëshiron që të përsëritet ajo që ndodhi në mars të 2020-s, kur mijëra emigrantë u mblodhën në kufirin turk dhe u përpoqën të hynin në vend.

“Pas krizës së emigracionit të vitit 2020, gardhi ka ofruar siguri dhe mbrojtje. Që kur u ndërtua, asnjë emigrant nuk ka kaluar. përpara ndërtimit të tij, fshatrat pranë lumit Evros kishin probleme. Emigrantët hynin në shtëpi dhe bënin vjedhje. Tani gjithçka ka mbaruar”, tha Konstantinos Tsolakidis, nga policia kufitare greke.

Qendra e Pritjes dhe Identifikimit në Filakion u hap në 2013-n dhe është më e vjetra në vend. Në të mund të akomodohen deri në 330 azilkërkues.

Aktualisht atje ndodhen 121 persona, një tregues që fluksi i refugjatëve në vend është ngadalësuar. Megjithatë, disa vazhdojnë të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për një jetë më të mirë.

“Unë jam nga Siria. Erdhë këtu para një jave dhe jam shumë e lumtur. Erdha me familjen dhe do të shkojmë në Gjermani”, shprehet Boshra Habas, azilkërkuese siriane.

Autoritetet kanë nisur zgjerimin e qendrës së refugjatëve. Ata po krijojnë një kamp të ri pranë të vjetrit.

Por emigracioni nuk është e vetmja sfidë për rajonin e Evrosit. Popullsia atje po plaket dhe të rinjtë largohen drejt Athinës ose jashtë vendit.

Shumë ferma janë mbyllur dhe bizneset e vogla kanë lëvizur drejt Bullgarisë fqinje, ku pronarët gjejnë krah të lirë pune. Fare pak të rinj angazhohen në agrikulturë dhe gjënë e gjallë.

“Fondet që investohen në rajonin tonë lidhen me zgjatjen e gardhit dhe qendrën e pritjes dhe identifikimit. Po flasim për miliona euro, por këto para nuk mbështesin ekonominë lokale. Krijojnë vetëm pak vende pune. Neve na duhet një fermë e re, ndërsa njerëzve u duhet punë. Qeveria duhet të mbështesë fermerët të parët”, thotw Vasilis Chantiridis, fermer.

Sipas planit, autoritetet greke do ta zgjasin gardhin me 35 kilometra në 12 muajt e ardhshëm, duke përdorur fonde shtetërore.

Në Itali, qeveria Meloni ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të emigracionit. Greqia pretendon se e ka zgjidhur problemin. Athina është kritikuar ashpër për gardhin, por qeveria thekson se është detyra e saj të mbrojë kufijtë e Greqisë dhe të BE-së.

360grade.al

Share: