Home KRYESORE Chatgpt vërteton se ne, shqiptarët, kemi lindur me këmishë!

Chatgpt vërteton se ne, shqiptarët, kemi lindur me këmishë!

Nga Çapajev Gjokutaj

Në rjet has jo pak ankesa se Chatgpt në shqip është larg të qëni i saktë, madje shpesh ngatërron edhe fakte të thjeshta. Që të bindesha i kërkova të shkruante një ese për turqizmat në poezinë e Fan Nolit. Përgjigjja ishte të vije duart në kokë: jo vetëm që s’dinte thuajse asgjë për turqizmat në shqip po merrte si poezi të Nolit ca vargje fillestarësh që dëshmonin ashiqare se autorët s’kishin ditur ndonjëherë nga binte metrika e stilistika.

Deri atë ditë e kisha perdorur Chatgpt në anglisht dhe, megjithë ndonjë lajthitje, kishte arritur që shumicën e herëve të ishte i saktë në fakte si dhe të gjykonte jo keq për dukuri, persona dhe vepra të ndryshme.

Kurioz për këtë ndryshim, thashë të pyes një herë vetë zullumqarin, pse jepte pergjigje me te sakta ne anglisht sesa ne shqip.M’u përgjigj se shkaqet ishin kryesisht tre: të dhënat e trainimit, kompleksiteti i shqipes dhe zhvillimi i modelit.

Për të dhënat e trainimit sqaroi se saktësia një modeli gjuhësor si Chatgtp varet shumë nga cilësia dhe sasia e të dhënave në rjet. Gjuha angleze ka në rjet një korpus shumë më të madh tekstesh dhe me cilësi ku e ku më të lartë se shqipja. Kjo, sqaronte më poshtë, do të thotë që modelet GPT janë trajnuar shumë më tepër në anglisht sesa në shqip. Eshtë njësoj, thashë me vete, si t’i kërkosh lopës tënde të bëjë po aq qumësht sa e komshiut, ndërkohë që në grazhd i hedh shumë më pak ushqim dhe të një cilësie fare të ulët.

Për shkakun e dytë thoshte se makina mësonte shumë më lehtë anglishten. Shqipja, shtonte, i realizon kuptimet gramatikore brenda fjalës dhe kjo kërkon shumë më tepër punë që t’i fiksosh gjithë ato trajta e rregulla.S’mjafton që ushqimi që merr nga shqipja, thashë me vete, është më i paktë, po rezulton dhe më pak i tretshëm.

Për shkakun e tretë, që e quante ‘zhvillimi i modelit’ thoshte se modelet GPT evoluojnë vazhdimisht, nëpërmjet përditësimesh që lëshohen rregullisht. Është e mundur që përmirësimit të modelit në anglisht i është kushtuar shumë më tepër kujdes sesa atij shqiptar, përfundonte. Doemos , thashe me vete, shërbimin në anglisht e presin gati tre miliardë përdorues anembanë globit.

Kur i sheh më me vëmendje këto tri shkaqe të rezulton se modelet si Chatgpt do vazhdojnë gjatë që shërbimin në shqip ta kenë romba per tomba. Si thoshte italiani kur vuri dorën në zemër😜 e na bëri pjesë të mbretërisë: Buono per Albania, dhe fap u këpuste një të shtrëmbëruar buzëve. Medemek: u bënë dhe këta lapanjozë🙊

Po jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Njerëz me mend anembanë botës flasin me shqetësim e thonë se njerëzimi nuk është gati të përdorë në shkallë të gjerë inteligjencën artificiale. Së fundmi 1100 intelektualë, mes tyre shumë ekspertë të shquar në fushën e inteligjencës artificiale, bënë thirrje për një pauzë 6 mujore në kërkimet për modele më të fuqishme se Chatgpt.

“Sistemet bashkëkohore të inteligjencës artificiale, thuhet në këtë letër, po konkurrojnë njeriun, ndaj duhet të pyesim veten: A duhet t’i lëmë makinat të përmbytin kanalet e informacionit me propagandë dhe të pavërteta?

A duhet të automatizojmë përditë e më shumë profesione, pa pyetur për papunësinë dhe tensionet sociale? A duhet të zhvillojmë mendje jo-njerëzore që përfundimisht mund të jenë më të afta, më të zgjuara dhe si të tilla të na zëvendësojnë e të na nxjerrin jashtë loje? A duhet të rrezikojmë humbjen e kontrollit të qytetërimit tonë?”

“Sistemet e fuqishme të inteligjencës artificiale, sugjeronin hartuesit e letrës, duhet të zhvillohen vetëm pasi të bindemi se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet që sjellin do të jenë të menaxhueshme”.

Gjithsesi për një gjë mund të jemi të sigurt. Inteligjenca artificiale në shqip edhe për shumë kohë çapiet pas e larg njeriut, thënë popullorçe: do vazhdojë të dërdëllisë si e jëma e Zeqos majë thanës. Dhe thuaj pastaj që s’kemi lindur me këmishë apo guxo të mos pranosh që shqipja është gjuhë e magjishme🤡

( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )

Share: