Home KRYESORE Në gëzime u pjekshim! – themi e prapë në varrime takohemi!

Në gëzime u pjekshim! – themi e prapë në varrime takohemi!

Nga cikli ‘Kafe për llafe’ i Çapajev Gjokutaj

Mbrëmë, pas dy ditësh mungesë, Naqja u kthye i lodhur, i hequr dhe vramuz. Kishte qenë për një vaki në Lunxhëri.

Jemi fis i madh, tha, por bëhemi bashkë vetëm për të percjellë të vdekurit. Vemi ku të jetë, e percjellim dhe, kur ndahemi urojmë: në gëzime u pjekshim! Po hera tjetër është prapë varrim. Jo se s’bëjmë dasma e s’kemi gëzime, po vetëm në funerale s’mungon thuajse askush. Dekada më parë bëheshim të gjithë bashkë edhe për dasma. Ç’i thoni ju kësaj?

Vdekja është fatkeqësi e madhe, ndryshe nga gëzimi do njerëz e hyrje-dalje që të përballohet, nisi shpjegimet Ilmiu.

Jo vetëm aq, e plotësoi Lilua, vdekja ka peshë të rendë dhe po të mos shkosh, ndjenja e fajit s’të lë rehat për ditë të tëra.

Ashtu është, vazhdova unë, po nuk shpjegoj dot një gjë tjetër. Dasmat kanë ndryshuar goxha, ceremonitë e vdekjes kanë mbetur thuajse po ato.

Nderhyri Qaniu dhe tha se vakitë ndryshojnë shumë më ngadalë krahasuar me sebepet e tjera nga që s’duam t’i hyjmë në hak atij apo asaj që posa na ka lenë. Mund të hysh në borxh me të gjallin, po kurrsesi me të vdekurin.

Ishte mbase hera e parë që diskutonim diçka duke vazhduar e thelluar argumentin e tjetrit, me zë të shtruar, pa kundërvenie e kundërshtime.

Jeni trembur e rrini urtë si pulat në qymez, u mudua të na ngacmonte kamarierja, po humori nuk ndezi.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: