Home KRYESORE Rreth ëndrrave, fatit dhe edukimit!

Rreth ëndrrave, fatit dhe edukimit!

Hera e disatë që shkruaj për ëndrrat. Natyrisht që e ka një lidhje.

Nga Artur Beu

Dëshirat janë motorri i ëndrrave thoshte Frojd dhe ëndrrat për t’u realizuar lidhen me objektivat. Mendoj se pa objektiva s’ka realizim ëndrrash. Pa objektiva s’ka asnjë plan. Pa plan s’ka realizim objektivash e ëndrrash. Madje pa plan s’ka as kuptim të qenit qenie racionale. Vetëm qeniet racionale bëjnë planifikim.

Dhe planet e kanë një arsye e një qëllim. Ndryshe nuk je njeri dhe do të punojë për ty vetëm ai që quajmë rëndomtë fat. Kështu e përkthej unë.

Fati është një lojë e jetës që vepron kur nuk vepron ti. Por, njeriu që e ndërton fatin e tij vetë nuk është risi, nuk po e shpik unë. Kanë folur filozofë e kanë bërë studime shumë sociologë rreth konceptit të fatit.

Dikush e quan të shkruar e dikush jo. Nuk dua të zgjatem rreth besimit këtu, që gjithsesi ka një interes të gjerë. Do të doja të trajtoj pjesën tjetër të fatit, atë që i lihet në dorë njeriut.

Antropologët p.sh., e lidhin fatin me besimin e grupit social të përkatësisë. Nëse grupi social “dëshiron” diçka (e përkthyer në ligje e norma sociale), fati yt është i shkruar. Duket se kjo ka qenë edhe zgjedhja e shumicës së popujve në historinë e tyre përsa dijmë ne.

Ndërkohë që, ata që kërkojnë fatin e tyre të jetë ndryshe, ose dalin nga grupi social ose e ndryshojnë atë duke thyer rregullat e jo domosdoshmërisht në mënyrë të paligjshme (pavarësisht se edhe këtu ka plot për t’u trajtuar).

E thjeshtë apo jo! Por, nuk mendoj se duke e thjeshtuar kështu kemi zgjidhur çështjen. Nuk mendoj se vetëm duke vënë objektiva bazuar në dëshira ja dalim të zgjidhim çeshtjet. Nuk është kaq e lehtë të ndërthurësh ëndrrat e të gjithëve në një tablo të përbashkët shoqërore.

Shoqëria është më e fortë se individi dhe kjo nuk është hipotezë, por një e vërtetë që e ka evoluar njeriun. Nga ana tjetër, nëse do ndiqnim vetëm ëndrrat e secilit, rreziku i anarkisë qëndron aty pranë.

Si t’i zgjidhim atëherë problemet e ngritura? Rrugë e gjatë zgjidhja do të thoni ju, sepse komponentët që plotësojnë tablonë janë shumë e duhet kohë…

Të paktën një as nën mëngë e kemi, në ndihmë na vjen gjithnjë edukimi. Edukimi i mirë e i hershëm. Edukimi është gjithçka e vlen më shumë se fati. Edukimi i duhur e rishkruan fatin e të gjithëve.

Nëse do të kemi njerëz të paedukuar atëherë do të kemi anarki. Nuk do të ketë realizim ëndrrash dhe nuk do të ketë shpresë. Për fat të keq konstatoj pak edukatë e më pak akoma respekt që vjen nga mungesa e durimit.

Durimi sot duket se ka humbur. S’ka durim për t’u rritur, s’ka durim për të kuptuar, s’ka durim për t’i dhënë kohë vetes…

Po e ndërpres këtu, se kur shkruan gjatë rrezikon të bezdisësh lexuesin dhe…

Share: