Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me strukturat e policisë vendore në Lezhë.
Në takim Balla ka qenë i shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku.
Mësohet se takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 60 minuta.
Gjithashtu mësohet se ministri iu ka kërkuar drejtuesve të policisë vendore angazhim maksimal për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe në luftën kundër kriminalitetit.
Gjatë fjalës së tij në takim, Balla u shpreh se në Shqipëri nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët.
“Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve”, tha Balla.
Sipas Ballës në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit.