Në intervistën e përjavshme para mediave mesditën e së enjtes, zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis është pyetur edhe për hapat e mëtejshme që do të ndërmarrë kabineti Mitsotakis, pas ndërhyrjes së Partisë Popullore Evropiane për çështjen Beleri, me një amendament të veçantë, i cili u shtua edhe në raportin për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Me iniciativën e Eurodeputetëve të Demokracisë së Re, ka deklaruar Marinakis, është paraqitur një amendament nga Partia Popullore Evropiane, në kuadër të Raportit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, i cili i referohet shqetësimit të shkaktuar nga mbajtja në burg të Fredi Belerit, si dhe në përgjithësi qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj minoritetit grek, kryesisht sa i përket të drejtave pronësore.
Kujtojmë se kryeministri Mitsotakis në kuadër të Samitit të Brukselit e ngriti çështjen në nivelin më të lartë, duke shprehur dëshirën që çështja të zgjidhej, dhe siç theksoi shumë qartë, zgjidhja apo moszgjidhja e saj do të jetë gjithashtu një kriter kyç për ne, në qëndrimin tonë ndaj vlerësimit të qeverisë shqiptare, për rrugën e saj europiane.
“Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në nivelin më të lartë është se qëndrimi i qeverisë shqiptare, ndaj një kryebashkiak të zgjedhur dhe ndaj minoritetit grek në tërësi, nuk është vetëm armiqësor ndaj minoritetit grek, por është edhe ndaj parimeve të Bashkimit Evropian dhe për këto parime duhen dëshmi që respektohen nga qeveria shqiptare, jo vetëm përballë Greqisë, por edhe ndaj të gjithë vendeve anëtare. Dhe kjo mbajtje në burg (e Belerit) dëshmon për fat të keq të kundërtën”, u shpreh ai.
Top Channel