Jelena Isinbayeva, 41 vjeçe, atletja më e famshme ruse, rekordmene në kërcimin me shkop, sot është larg famës. Ajo është “persona non grata” në Ukrainë për shkak të lidhjes së saj me Vladimir Putinin, por deklaratat e saj të fundit kanë shkaktuar zemërim dhe në vendlindjen e saj, Rusinë, ku është kërkuar që t’i hiqet një gradë ushtarake që mban – majore – si dhe të hiqet emri nga një stadium emërtuar për nder të saj.
Pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, Isinbayeva u “zhduk” papritur nga rrjetet sociale. Ajo u bezdis nga komentet e shumta që e dënonin për shoqërimin e saj me Putinin dhe i kërkonin të dënonte pushtimin e Ukrainës.
Ndërsa u zhduk papritur, ajo u kthye papritur javën e kaluar për të njoftuar se në shtator do të vazhdojë aktivitetet e saj në Komisionin e Atletëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe se nuk i nënshtrohet asnjë sanksioni të IOC.
“Kishte një ndërprerje të përkohshme në punën time, sepse IOC-së i duhej kohë për të rregulluar gjithçka. Jam e lumtur të njoftoj se do të rifilloj aktivitetet e mia në shtator, sepse IOC nuk dyshon për mua dhe nuk jam subjekt i asnjë sanksioni. Gjithashtu u bëj thirrje të gjithëve që publikojnë artikuj dhe informacione të rreme – unë jam një grua e botës, kam qenë gjithmonë dhe do të mbetem e tillë”, shkroi rekordmenja aktuale e pole6.
Pretendohet se Isinbayeva ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse dhe disa media në Perëndim e akuzojnë atë për lidhje me Junarmia-n, dega rinore e Shoqatës Ruse të Lëvizjes Sociale Patriotike Kombëtare Ushtarake. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i dha asaj gradën e majorit në vitin 2015.
Për të gjitha sa më sipër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e futi vitin e kaluar në listën e personave të cilëve u ndalohej hyrja në vend dhe të cilëve iu konfiskua e gjithë pasuria në tokën e Ukrainës. Për Isinbayeva-n, megjithatë, të gjitha këto janë informacione të rreme…
“Titujt për të cilët flitet sot janë nominalë, sepse nuk kam qenë asnjëherë në shërbim të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse. Ashtu siç nuk kam qenë asnjëherë deputete e Dumës së Shtetit apo anëtare e ndonjë partie. Vokacioni im është sporti”, shkruan atletja e lindur në Volgograd.
Pikërisht këto fjali të fundit kanë shkaktuar zemërim në Rusi. Ministri i Sporteve atje, Oleg Matitsyn, e bëri të qartë se beson se Isinbayeva ishte pjesë e ushtrisë ruse dhe se titujt e saj nuk ishin nominalë.
“Është e papranueshme të trajtosh gradën ushtarake, shtetësinë dhe ngjarjet që ndodhin në atdheun tënd në një mënyrë të tillë. Çdo person që e do vendin e tij ka një qëndrim pa mëdyshje negativ ndaj deklaratave të tilla,” tha Matitsyn për agjencinë ruse të lajmeve TASS.
Dy muaj më parë, Isinbayeva u zhvendos në Spanjë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, gjë që u perceptua gjithashtu si një tradhti në Rusi. Lideri i Republikës Ruse të Dagestanit, Sergej Melikov, bëri thirrje që stadiumi me emrin “Yelena Isinbayeva” të kthehet në emrin e tij të vjetër “Trud”.
“Disa ndërtesa në Spanjë mund të emërohet me emrin Isinbayeva-s,” tha Melikov me cinizëm.
Kështu, majore Isinbayeva u bë armike si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi. /tesheshi.com/