Home Gjeo-Ekonomia Kë gëzon e kë hidhëron superleku?

Kë gëzon e kë hidhëron superleku?

Nga Shpëtim Luku

Edhe pse ka shastisur analistë, specialistë dhe ekonomiste,   tashmë është një fakt  i vërtetë dhe i konfirmuar: leku ka marrë pozitën e  superlekut.  Në raport me valutat kryesore ai është forcuar nga 12-14 për qind brenda një periudhe të shkurtër kohe, aq sa tashmë Shqipëria të kujton vendet e ndryshme që dikur, para se të futeshin në zonën Euro, kishin monedhë kombëtare të fortë. Pavarësisht shkaqeve që kanë sjellë këtë situatë, pavarësisht  opinioneve të ndryshme që janë të pranishme në shpjegimin e kësaj situate, dukuria është e tillë që  shumë i gëzon  dhe të tjerë i hidhëron.  Por kë konkretisht?

Në grupin e personave që kanë arsye të mjaftueshme ti gëzohen këtij fakti janë të gjithë ata që paguhen në lekë. Pra rreth 1.3 milionë punonjësit e Shqipërisë. Qoftë të sektorit public e qoftë ata të sektorit privat që pagat e tyre i marrin në lekë. Natyrisht, të flasësh për fuqi të rritur blerëse të pagave, ndërkohë që ato nuk kanë qenë e nuk janë në nivelin e kënaqshëm e ku mbi 40 për qind e saj përdoret për ushqim, duket si një humor i hidhur. Por e keqja do të ishte edhe më e madhe, nëse leku nuk do të ishte në këto raporte që është me valutat, e kryesisht me euron. Sepse, përvec inflacionit në Shqipëri, cmimet e produkteve të ndryshme do të ishin ngarkuar  edhe me inflacionin e vendeve, nga sigurohen importet e shumta për Shqipërinë.

Vetëm në vendet e eurozonës inflacioni deri në muajin prill ka qenë rreth 7.1 për qind, kurse në Itali që është edhe një nga parmerët kryesor tregtar të Shqipërisë inflacioni ka qenë 8.1 për qind. Pronari i një rrjeti të mirënjohur supermarketesh, Luan Leka thotë se cmimet e produkteve, jo vetëm tek supermarketet e tij, por edhe tek rrjetet e tjera nuk janë që nga fillimi i vitit. Dhe as që kanë arsye të ndryshojnë nëse situata vazhdon kështu sikurse është. Ndërkohë që, po qe se leku do të rrinte në të njëjtin kurs me euron sa c’ka qene, atëhere cmimet do të rriteshin në mënyrë të pashmangshme edhe tepër. 

Në këtë mënyrë, edhe importuesit e produkteve të ndryshme kategorizohen tek përfituesit e tij. Pasi, edhe për ta janë krijuar kushte e përshtatshme për të rritur shitjet e produkteve të tyre, pa qenë nevoja të improvizojnë situata ku iu duhet të rrisin cmimet, pa ditur më pas reagimin e konsumatorit.

Ai që ferkon duart nga superleku është edhe shteti shqiptar. Nëse më parë borxhi public i marrë nga shteti kishte kaluar tek niveli i 75 për qind, tashmë ky borxh ka zbritur në 68 për qind të PBB-së. Por jo më tepër për arsye mirëadministrimi të ardhurash, të adresuara më pas për shlyerje borxhi, por edhe si efekt  i rënies së euros përballë lekut. Statistikat flasin se rreth 70 për qind e borxhit të jashtëm të Shqipërisë është marrë në monedhën euro, cka bën që qeveria të përjetojë një periudhë të artë me euron e dobësuar në raport me lekun.

Por edhe kredimarrësit e tjerë në euro, qofshin këta individë apo kompani, po ndjejnë tju ketë trokitur fati në derë. Edhe ata vjelin frutet e situatës, përderisa për pagimin e kësteve të kredisë që kanë marrë iu duhen më pak lekë, për të blerë eurot që duhet ti japing institucioneve të kredisë.

Po ata që po hidhëron superleku kush janë?

Së pari, janë eksportuesit. Ata që kanë ndërtuar një aktivitet të tillë që bazohet në eksporte. Ata, që për të siguruar perspektivë më të mirë për bizneset dhe kompanitë e tyre e kanë zgjeruar tregun, duke dërguar produktet e tyre edhe në tregje jashtë Shqipërisë. Krienko Memo ka një kompani të prodhimit të veshjeve për eksport, me anë të së cilës ka shlruar një histori suksesi 30 vjecare. Mirëpo pronarit të Krienko Jeans kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend, se zhvlerësimi i euro kundrejt lekut deri në këtë pikë sa c’është sot, do të bëhej faktor kaq i rëndësishëm ndikimi negative.

Atij, sikurse edhe eksportuesve të tjerë, për të paguar detyrimet për aktivitetin e tyre, si pagat, taksat etj  i duhen lekë. Mirëpo sasinë e lekëve që i nevojitet do ta sigurojë nëpërmjet një shumë më të madhe eurosh se sa zakonisht. Ndërkohë që kontratat me partnerët e huaj i kanë të fiksuara. Nisur nga ky realitet, Krienko Memo  parashikon se në radhët e kompanive eksportuese do të ketë falimentime në masë, nëse kjo situatë zgjat. I të njëjtit mendim, apo të njëjtin hall po provon edhe Julian Bërxulli, i kompanisë AMBRA. “Zakonisht këmbej në muaj rreth 400 mijë euro dhe vetëm diferenca nga kursi i këmbimit është një shumë rreth 4-5 milionë lekë, thotë ai.

Edhe tek kompanitë e tjera, që kanë në aktivitetin e tyre eksportin, krahas tregut të brendshëm, bilancet e vitit 2022 tregojnë se fitimi i tyre është tkurrur disi, ku faktori kryesor ka qenë luhatja e kursit deri në atë periudhë. Pasi për vitin 2023, ndikimi do të jetë edhe më i madh.

Të humburit e mëdhenj janë edhe pronarët e depozitave në euro. Nëse më parë, një depozitë bie fjala 10 euroshe e kishte ekuivalencën  afërsisht 1,2 milionë lekë, sot kjo depozitë e ka ekuivalencën rreth 1 milionë lekë. Dhe kjo humbje bëhet reale, në momentin kur pjesë nga kjo depozitë tërhiqen, për tu kthyer në lekë për të paguar fatura të ndryshme. Cka do të thotë edhe pranim real dhe faktik i humbjes.

Të pakënaqur nga zhvillimet e fundit në fushën e këmbimit janë edhe operatorët turistikë shqiptarë, të cilët parashikojnë vështirësi, si rrjedhojë e shtrenjtimit të pushimeve për turistët e huaj. Por, kjo mbetet të verifikohet në të ardhmen, po qe se situata do të jetë kjo që është sot, pasi edhe sivjet, duket se numri i turistvëve të huaj ka rritje të ndjeshme nga ai i një viti më parë./BiznesmenëtShqiptarë

Share: