Nga tymi i Zotos nuk do të na shpëtojë dot as Zoti!
Nga Irena Beqiraj
Kushdo që ka udhëtuar një herë në Vjenë ka parë se në hyrje të saj ka një djegës . Krenaria e drejtuesit të saj është se në oxhakun e djegësit lejlekët ngenë folenë , cka do të thotë që gazrat që lëshohen në ajër janë të padëmshëm.
Sipas të gjitha raporteve që unë kam lexuar, djegia është një nga proceset më të shtrenjta të trajtimit të mbetjeve. Sipas studimeve mesatarisht kosto totale për djegien e një ton mbetje pasi të ndodhte procesi i ndarjes në burim në 2001 ishte 71 euro. Sot kostoja është rreth 134 euro për ton .
Dy Zërat kryesorë të kostos në incenerim janë :
i)kostot për realizimin e djegies, pasi temperatura e furrës duhet mbajtur mbi 800 °C dhe ii) kosto e filtrave, e cila është rreth 40-45% e kostos së përgjithshme. Janë filtrat që reduktojnë emetimit të gazrave të dëmshme në ajër, edhe bëjnë të mundur që edhe ajri rreth oxhakut të jetë i pastër .
Në studimin e fisibilitetit, për djegesin e Tiranës ( tabela më poshtë) cmimi i djegies së një toni mbetje të pandarë në burim ( kosto për koncesionarin + fitimin e tij) paraqitet 51 euro ku 29 euro do të mbuloheshin nga buxheti I shtetit edhe 22 euro nga shitja e energjisë edhe e skrapit .
Me një anëlizë të thjeshtë të kostove kuptohet përse modeli financiar i Zotos duhet braktisur, edhe llogaritjet duhen bërë nga e para.
Mosndarja e mbetjeve në burim para depozitimit të tyre tek djegësat sic është rasti i Shqipërise sjell problematikën e djegies së mbetjeve me lagështi të lartë dhe fuqi kalorifike të ulët, e për pasojë uljen drastike të temperaturës së furrës, e cila në rast se nuk rritet duke injektuar lëndë djegëse, shpie në djegie jo të plotë, ku përtej mbetjeve të padjegura plotësisht , përftohen edhe dioksina dhe furane, tepër të rrezikshme për shëndetin. Këto produkte, në rast se emetohen për një kohë të gjatë bllokojnë filtrat, të cilat duhen rikuperuar ose ndërruar.
Ndërkohë që raportet e bankës botërore sqarojnë se për të menaxhuar procesin e ndarjes së mbetjeve në burim nevojiten 56 USD për ton, përtej kostove të djegjes së tyre.
Atëhërë si ka mundësi që në Shqipëri edhe ndarja që presupozohet të bëhet nga koncensionari edhe djegia e tyre të kushtojë 51,49 Euro ? Në deklaratat e tij në komision parlamentar Kryeministri e ka renditur cmimin e ulët tek arritjet e qeverisë në hartimin e partneritetit publik privat. Në fakt kjo është vetëm një shaka tragjike .
Gjermanët e GIZ e paralajmeronin qeverinë që e vetmja mënyrë për të inceneruar me kosto kaq të ulët mbetje të pandara në burim ishte vetëm djegia pa respektuar kushtet teknike ,pra pa arritur temperaturën e furrës, dhe duke çaktivizuar filtrat. Pra procesi në vend të të ndodhte në qiell të hapur, do të ndodhte në një ndërtesë në dukje industriale, duke rritur kostot shëndetësore të popullatës.
Elementi tjetër që duhet vlerësuar me kujdes janë kostot për investimet në vazhdimësi që kërkon procesi i djegjes . Përvoja e vëndeve të zhvilluara ka treguar se për shkak të nevojës për përmirësime të kushtueshme, disa nga këto sipërmarrje kanë falimentuar . Të paktën 31 inceneratorë të mbetjeve të ngurta u mbyllën në periudhën midis viteve 2000 dhe 2020, kryesisht për shkak të barrës financiare të shkaktuar nga kërkesat e nevojshme për kontrollin e ndotjes.
Përshembull ” për tre dekada, qyteti i Detroitit në SHBA ka paguar mbi 1 miliard dollarë për të ndërtuar dhe operuar një incinerator. 478 milionë dollarë kushtoi ndërtimi i inceneratorit, dhe një shtesë prej 179 milionë dollarësh kërkohej për pajisjet e kontrollit të ndotjes. Në vijim të rezistencës së fortë të komunitetit dhe veprimeve ligjore kundër 600 shkeljeve të emetimeve të gazrave nga kompania, në peridhën 2014-2019, kompania e mbylli papritur objektin në vitin 2019 pasi u identifikuan nevoja për përmirësime të kushtueshme edhe te pa perballueshme . Ndërkohë që funksiononte impianti I djgjes së mbetjeve, qyteti humbi 2.6 milion USD shpenzime shendetesore cdo vit”.
Thënë këto, qeveria duhet të kuptojë që modeli financiar i djegies me kosto të ulta që ofron Zoto, është një marrëzi që duhet të braktiset një orë e më parë . Llogaritë duhen bërë nga e para . Por jo nga “Bllakot , Aldat , Albat , apo Ahmetajt” , të cilët për të keqen tonë qeveria e tanishme i ka edhe më me shumicë, por nga ekspertët .
Para se ti vendosim në punë duhet të jemi të sigurt që i kemi kapacitetet financiare që në oxhakun e Fierit apo Elbasanit zogjtë të ngrenë folenë ne të kundërt duhet ti braktisim , sado të jenë humbjet e shkaktuara deri tani.
Përndryshe nga tymi të Zotos nuk do të na shpëtojë dot as Zoti!