Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë turneut të tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Prishitnë është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja, pas takimit, tha se me Ramën diskutuan “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit”. Turneu ballkanik i Ramës synon pikërisht të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.
“U bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces [të Berlinit], e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”, tha Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media.
Në këtë takim dypalësh u tha se u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dhe se presidentja Osmani theksoi se Kosova “ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.
Mes tjerash, sipas njoftimit të Presidencës, thuhet se Rama dhe Osmani u dakorduan që “të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve” të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.
Rama, më herët gjatë ditës njoftoi se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës.
Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama në Twitter.
Megjithatë, deri të enjten mbrëma, një takim mes dy kryeministrave nuk u zhvillua.
Gjatë ndalesës së parë të këtij turi, Rama deklaroi në Shkup që “unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera. Është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”.
Më 5 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i propozoi Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”.
“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë për takime të ne të dyve. Ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, nëse shikoni gjatë këtyre më shumë dy vjetëve sa jemi në qeverisje, i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohen, kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm”, tha Kurti.
Opozita kritikon Kurtin për mostakimin me Ramën
Partitë opozitare në Kosovë kanë reaguar lidhur me mostakimin mes Kurtit dhe Ramës.
Nënkryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se me vendimin për të mos e takuar Ramën, kryeministri Kurti ka shfaqur “hipokrizi politike”.
Hipokrizia politike e Albin Kurtit shpërfaqet në sjelljen e tij si të një feudali mesjetar dhe autokrati inatçor, që deri sa ishte në opozitë fliste për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, shkroi ai.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kurti të takohet me Ramën dhe të mos vë kushte për takime të tilla.
“Kryeministri i Shqipërisë, cilido që është ai, në këtë rast është Edi Rama, vjen në shtëpinë e vet, vjen te vëllezërit dhe motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë nga zoti Albin Kurti, është ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që me të vërtetë e bën të turpshëm secilin shqiptarë që frymën dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat”, tha Tahiri gjatë një konference për media më 6 korrik.
Sipas tij, Rama bëri një hap tutje duke nënshkruar 13 marrëveshjet dhe në këtë mënyrë duke plotësuar “kushtin” e Kurtit për takim.
“Këto kushtëzime, jo që bien ndesh me synimet tona politike, por në fakt e zbardhin një agjendë mashtruese, hipokrite që e ka pasur Kurti gjatë gjithë kohës duke nisur nga platforma e bashkimit kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend, të cilat i ka harruar të gjitha dhe të cilat tani po i trajton krejt në një formë tjetër”, theksoi Tahiri.
Sipas agjendës së publikuar, Rama fillimisht do të qëndrojë në Shkup, ku do të takohet me krerët shtetërorë. Më pas ai do të niset drejt Prishtinës për t’u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Ndërkaq, të premten ai do të vizitojë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë. /REL