Për të blerë një automjet, apartament, apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, shqiptarët mund të paguajnë kesh të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo.
Por, për mekanizmin e Komisionit Europian, Moneyval, mungesa e një limiti për pagesat “në dorë” krijon shtigje të pastrimit të parave, ndaj lipset nevoja për caktimin e një norme tavan.
Eduart Gjokutaj, ekspert kontabël, u shpreh për A2 CNN: “Një normë e tillë, një tavan i tillë i vendosur në pagesat e transaksioneve të qytetarëve në kesh, lidhet me arsyet për të luftuar informalitetin në ekonomi, evazionin në sistemin fiskal dhe orientimin e qarkullimit të parave drejt kanaleve bankare”.
Në ekonominë shqiptare qarkullojnë aktualisht rreth 1,63 trilionë lekë, nga të cilat mbi 400 miliardë apo gati 24% e totalit, jashtë sistemit bankar.
“Kjo nuk është një masë apo propozim që vjen vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet që kanë sasia të larta të parave jashtë sistemit bankar”, shpjegon Gjokutaj.
Për të arritur rezultate në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave, ekspertët vlerësojnë si shumë të nevojshëm bashkëpunimin e sistemit bankar në vend: “Duhet që bankat të ulin sa më shumë normat e interesit për transaksionet e kryera, me qëllim joshjen e sa më shumë qytetarëve”.
Aktualisht, legjislacioni shqiptar përmban kufizimin për pagesat kesh vetëm për bizneset të cilat janë të fiksuara në maksimalisht 150 mijë lekë.
360grade.al