Nga Irena Beqiraj
Kur në dorë ke një çekiç, çdo gjë të duket gozhdë. Kjo është një shprehje e famshme e Abraham Maslow e cila i referohet një koncepti të njohur që njihet si “ligji i instrumentit”, ose ndryshe i mbështetjes së tepërt në një mjet apo në një mënyrë arsyetimi të preferuar.
E ndërsa lexoj analizat e gazetarëve edhe opinionistëve mbi çështjen e sterilizimit, kuptoj që dalëngadalë, mbase edhe jo vetëm për fajin tonë, jemi kthyer në një grup funksional ose një dyzinë njerëzish “me çekiç në dorë” në kërkim “të gozhdës”.
Për ta parë në një këndvështrim tjetër aspektin ekonomik të kësaj kontrate po ju parashtroj edhe juve dy pyetje që i bëra një sipërmarrësi.
Mendojeni veten për një çast pronarin e një rrjeti spitalor. Shërbimet kirurgjikale janë shërbimet më të rëndësishme të ofruara në biznesin tuaj edhe më të kushtueshmet. Ju duhet të rrisni efikasitetin dhe produktivitetin e shërbimit më të rëndësishëm duke përmbushur në të njëjtën kohë standardet ndërkombëtare të cilësisë edhe duke ulur ndjeshëm nivelin e lartë të infeksioneve post operatore.
Forma e propozuar për ta arritur është kontraktimi i një pale të tretë për shërbimin e sterilizimt të sallave dhe instrumenteve operatore, ndryshe njihet me akronimin SOTS.
Ju jeni i vetëdijshëm se shërbimet SOTS janë thelbësore për thjeshtimin e procesit kirurgjikal pasi ato përfshijnë furnizimin e instrumenteve dhe materialeve kirurgjikale(perde kirurgjikale veshje mjekësore të sallës së operacionit), mirëmbajtjen dhe zëvendësimin e instrumenteve kirurgjikale, pastrimin dhe dezinfektimin e mjedisit të zonave kirurgjikale dhe invazive. Këto shërbime kërkojnë kompetenca dhe teknologji që nuk janë strategjike për biznesin tuaj por kanë një ndikim të madh tek kostot e tij.
Teksa kontrata kontraverse ju ka “gllabëruar” 76 milionë euro në 7 vjet shifrat tregojnë se ka :
- Rritje të produktivitetit, pra të numrit të operacioneve kirurgjikale të ofruara
Tabela tregon se vetëm tek Qendra më e madhe Spitalore Universitare “Nënë Tereza” numri i ndërhyrjeve kirurgjikale ka ardhur duke u rritur me gati 8% çdo vit edhe kjo që dy vitet e para të zbatimit të kontratës.
Në studimin e kryer nga Vieri Lastrucci, Alberto Romolini, Martina Giusti për këtë kontratë është arritur në konkluzionin që, faktorët që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e produktivitetit janë : i)përmirësimi organizativ, ii) rritja e numrit të mjeteve kirurgjikale në dispozicion dhe iii) rritja e besimit, qoftë e mjekëve qoftë e pacientëve në shërbimin e ofruar.
Disponueshmëria e seteve standarde edhe specifike të instrumenteve reduktoi kohën e përgatitjes së instrumenteve kirurgjikale nga një operacion tek tjetri. Po ashtu koha e përgatitjes së sallës së operacionit u zvogëlua falë një ndarje të qartë dhe të koordinuar të detyrave midis stafit të spitalit dhe stafit të koncensionarit.Të dy këto faktorë çuan në shfrytëzim më të mirë të sallave duke planifikuar më shumë operacione brenda një viti.
A do t’i thonit jo rritjes së produktivitetit me 8% në vit ? Jo m’u përgjigj sipërmarrësi ! Por pse në shtet duhet t’i themi jo? Pse duhet të drejtohen shqiptarët nëpër spitale private, për ndërhyrje që kryhen nga të njëjtët mjekë?
- Ulje e numrit e ditë qëndrimit në spital, mesatarisht me 1. 8 ditë
Gjatë viteve të operimit të kontratës kontraverse u vunë re më pak infeksione të plagëve operatore. Po ashtu, nuk janë vënë re shpërthime epidemike në spitale nga infeksionet spitalore që tregon një përmirësim të dukshëm të mjedisit spitalor, por edhe një kursim të kostove të spitalit. Nga analiza buxhetore një ditë shtrimi në spital i kushton buxhetit mesatarisht 14.000 lek. Ulja e ditëqëndrimit në spital mesarisht me 1.8 ditë për operacion do të thotë se në 56.885 operacione të kryera mesatarisht në vit kursimi në buxhet është 13.6 milionë euro në vit ose 95.5 milionë euro në 7 vjet.
E pra nëse sterilizimi kushtonte 250.000 euro në vit para 2015 nuk duhet të harrojmë që duheshin edhe 13.6 milionë euro me shume për të mbuluar kostot e ditëqëndrimeve në spital nga infeksionet post operatore.
Sot vërtet sterilizimi na ka kushtuar 80 herë më shumë siç thonë ca ekonomistë (76 milionë euro për shtatë vjet ) por na ka kursyer po në shtatë vjet 95.5 milionë euro nga ulja e ditë-qëndrimeve. A do t’i thonit jo një përfitimi neto 19.5 milionë euro vetëm nga ulja e kostove ? “Jo”, mu përgjigj sërish sipërmarrësi.
Ndoshta kostoja 76 milionë mund të ishte edhe më e ulët edhe përfitimi edhe më i madh por deri tani nuk ka akoma një analizë të vlefshme edhe të plotë ekonomike publike për këtë nga asnjëra palë. Edhe pa këtë analize opinionet mund të variojnë .Ndërkohë që rritja e produktivitetit të spitaleve dhe përfitimi gati 19.5 milionë vetem nga ulja e ditë qëndrimeve nuk mund të mohohen.
SPAK ka evidentuar konflikt interesi në këtë procedurë, mund të thotë dikush me të drejtë.
Po, por jo domosdoshmërisht korrupsion, sepse një konflikt interesi ekziston kur një zyrtar MUND të abuzojë me pozitën e tij/të saj për përfitime personale ndërsa korrupsioni ekziston kur një zyrtar KA abuzuar me pozitën e tij/të saj për përfitime personale. Kështu që, ndërsa konflikti i interesit jo gjithmonë çon në korrupsion, korrupsioni kërkon gjithmonë një konflikt interesi. Akoma kjo mbetet për tu provuar.
Sido që t’u tingëllojnë këto rreshta janë thjesht një mënyrë për të sfiduar të menduarin në grup ku çekiçi kërkon gozhdën, sepse nëse të gjithë jemi duke menduar njësoj, asnjë nuk është duke menduar gjatë.