Home Gjeo-Ekonomia Britania fton Kinën në takimin e nivelit të lartë mbi inteligjencën artificiale

Britania fton Kinën në takimin e nivelit të lartë mbi inteligjencën artificiale

Britania ka ftuar Kinën në takimin ndërkombëtar të nivelit të lartë mbi inteligjencës artificiale që do të mbahet në këtë vend në muajin nëntor. Ministri i Jashtëm britanik James Cleverly tha se rreziqet që lidhen me teknologjinë nuk mund të mbahen nën kontroll, nëse një nga lojtarët kryesorë të saj mungon.

“Ne nuk mund ta mbrojmë publikun e Mbretërisë së Bashkuar nga rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale nëse përjashtojmë një nga vendet kryesore të kësaj fushe”, tha zoti Cleverly në një deklaratë të martën.

Kryeministri Rishi Sunak po kërkon që Britania të luajë rol udhëheqës në shkallë botërore, për sa i takon rregullimit me ligj të përdorimit të inteligjencës artificiale. Takimi i 1 dhe 2 nëntorit do të bashkojë përfaqësues të qeverive të ndryshme, kompani të teknologjisë dhe akademikë, për të diskutuar mbi rreziqet që sjell teknologjia e re.

Britania tha se në takim do të trajtohen tema të tilla si kërcënimi që paraqet inteligjenca artificiale ndaj biosigurisë, por edhe se si mund të përdoret ajo për të mirën publike, për shembull për një transport më të sigurt.

Zoti Cleverly, ka shtruar nevojën për një angazhim më të thellë me Pekinin, duke thënë se do të ishte gabim izolomi i ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Ai ka shtuar se ndihma kineze ishte e nevojshme në fusha të tilla si ndryshimet klimatike dhe paqëndrueshmëria ekonomike.

Londra po përpiqet të përmirësojë lidhjet me Pekinin, por në vend ka patur shqetësime në rritje lidhur me aktivitetin kinez në Britani javët e fundit, pasi u zbulua se një ndihmës i parlamentit britanik u arrestua në mars, nën dyshimet se kishte spiunuar për llogari të qeverisë kineze.

Ambasada kineze në Londër nuk i është përgjigjur ende kërkesës për komente, nëse do të marrë pjesë në takim.

Britania ka emëruar ekspertin e teknologjisë Matt Clifford dhe ish-diplomatin e lartë Jonathan Black për të udhëhequr përgatitjet për takimin.

Muajin e kaluar zoti Clifford tha për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’ se ai shpresonte që takimi i Mbretërisë së Bashkuar të përcaktonte tonin për debatet e ardhshme ndërkombëtare lidhur me mënyrën e përdorimit sipas rregullave të inteligjencës artificiale./VOA

Share: