Home Gjeo-Ekonomia Flukse të larta të gushtit, Shqipëria tejkalon shifrën e 7 milionë turistëve...

Flukse të larta të gushtit, Shqipëria tejkalon shifrën e 7 milionë turistëve gjatë këtij viti

Mbi dy milionë vizitorë të huaj janë regjistruar gjatë muajit gusht të këtij viti, ose 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke e çuar në rreth 7.2 milionë numrin e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në këto 8 muaj.

Kjo shifër i afrohet rekordit prej 7.5 milionë turistësh që u arrit në vitin 2022, viti më i mirë ndonjëherë në turizëm në bilanc shifrash.

“7.190.410 vizitorë të huaj kanë ardhur në Shqipëri gjatë periudhës janar−gusht 2023 ose 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, saktësohet në grafikët e bërë publikë nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Një shifër që kurorëzon punën e të gjithëve, të ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të bashkive, turoperatorëve e mbi të gjitha të çdo hotelieri dhe profesionisti në sektor, që ka investuar me përkushtim në ngritjen e reputacionit të Shqipërisë turistike”, shkruan ministrja Kumbaro.

Gjatë vitit 2023, përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.

Top Channel

Share: