Duke pritur anëtarët e Shoqatës Biblike Italiane në Vatikan, Papa thellohet në disa përmasa, që shpjegojnë termin “aleancë” dhe kanë të bëjnë me problemet urgjente bashkëkohore. Ndërmjet tyre, nevoja për “përdorimin e drejtë dhe të matur të pasurive të planetit”, për ta jetuar besëlidhjen me Zotin në një horizont misionar, që nuk përjashton askënd, duke e konsideruar Biblën trashëgimi të të gjithëve
R.SH. – Vatikan
“Besëlidhja dhe aleancat ndërmjet universalizmit dhe partikularizmit”: kjo, tema e zgjedhur nga Shoqata Biblike Italiane dhe nga pedagogët e Shkrimit Shenjt për Javën e 47-të Italiane Biblike, që u pritën sot nga Papa Françesku, në Vatikan. Në fjalën, që u drejtoi, Ati i Shenjtë reflektoi mbi disa aspekte, që rrjedhin nga termi “besëlidhje”, si mbrojtja e Krijimit, vëllazërimi në botë, feja e jetuar si hapje dhe mospërjashtim.
Përdorimi i drejtë dhe i matur i pasurive të planetit
Duke iu rikthyer zanafillës së besëlidhjes së Zotit me Noehun, përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet njerëzimit dhe Krijimit, Papa tërhoqi vëmendjen mbi nevojën e shfrytëzimit me kriter të pasurive të Tokës. Françesku nënvizoi se sot, ky është “shqetësim shumë serioz”:
“Në historinë e përmbytjes universale (shih Zan 6-9) Hyji i rikthen shpresën dhe shpëtimin njerëzimit, të tronditur nga urrejtja dhe dhuna, nëpërmjet drejtësisë së Patriarkut. Kjo drejtësi ka në vetvete një përmasë ekologjike të domosdoshme, në rizbulimin dhe respektimin e “ritmeve të gdhendura në natyrë nga dora e Krijuesit” (Letra Enciklike Laudato si’, 71). Pra, besëlidhja e Noehut, e cila nuk u thye kurrë nga ana e Zotit, vazhdon të na nxisë t’i përdorim drejt dhe me maturi pasuritë e planetit”.
Të jetojmë si vëllezër
Françesku iu referua më pas besëlidhjes së Abrahamit, e përbashkët për tri fetë e mëdha monoteiste, edhe ajo, ikonë me “aktualitet të madh”.
“Siç mëson Koncili II i Vatikanit, në një kohë të tronditur nga vdekja dhe lufta, besimi i përbashkët në një Zot na fton dhe na inkurajon të jetojmë si vëllezër”.
Zoti nuk zgjedh kurrë të përjashtojë
Aspekti i tretë, për të cilin foli Papa, na nxit të shmangim “çdo tundim për ta interpretuar në mënyrë ekskluzive” besëlidhjen e vulosur nga Hyji me popullin e Izraelit, përmes dhuratës së rrasave të ligjit në malin Sinai. Në të vërtetë, kjo zgjedhje e Zotit, shtoi Bergoglio, ka të bëjë pikërisht me këtë përmasë shoqërore e “misioni”.
“Partikularizmi i këtij vendimi hyjnor është se ai bëhet gjithnjë në funksion të së mirës universale dhe nuk bie kurrë në forma të ndarjes a të përjashtimit. Zoti nuk zgjedh kurrë dikë për të përjashtuar të tjerët, por gjithmonë për t’i përfshirë të gjithë. Është paralajmërim i rëndësishëm për kohët tona, në të cilat prirjet në rritje për përçarje, thellojnë hendeqe dhe ngrenë gardhe ndërmjet individëve dhe popujve, në dëm të unitetit të njerëzimit, që vuan, dhe të vetë Korpit të Krishtit, sipas planit të Zotit”.
Të punojmë së bashku
Së fundi, Papa e përgëzon Shoqatën Biblike për punën e kryer, duke kujtuar se ajo është një nga shoqatat e para teologjike në Itali, që bashkëpunon ngushtë me Institutin Biblik Papnor dhe është shumë e pranishme nëpër dioqeza, veçanërisht përmes javëve dioqezane biblike. Françesku shpreson në një sinergji më të madhe ndërmjet instituteve studimore “edhe për të shmangur rrezikun e zhdukjes”, pohoi ai. Papa i ftoi të gjithë ta studiojnë Biblën, e cila është trashëgimi e përbashkët. Pastaj, vërejti: “Kjo është gjithmonë dinamika e Zotit: ai dërgon dhe duket sikur i shpërndan të vetët, por pastaj i mbledh, të bashkuar e në unitet”. Në përfundim, dëshira për Shoqatën Biblike:
“Uroj që kjo prani e juaj të shtohet në gjithë territorin, duke shmangur çdo formë elitizmi dhe mbylljeje”./VaticanNews