Home Gjeo-Ekonomia “Infermierizimi” i Arsimit të lartë! Nga Klodeta Dibra

“Infermierizimi” i Arsimit të lartë! Nga Klodeta Dibra

Të gëzosh se po regjistrohen studentë në degën e infermierisë për të mbajtur në këmbë një Institucion të Arsimit të lartë po kthehet në një paradoks.

Të gëzosh se me këta studentë do mbash me ngarkesë edhe pedagogë të degëve të tjera, edhe ky është një tjetër paradoks.

Fakt është se pothuaj të gjitha Institucionet e Arsimit të lartë në Shqipëri (publike e jo publike) kanë hapur programe studimi për formimin e infermierëve, edhe ky është një paradoks, kur mendon se të gjithë këtyre studentëve do t’u duhet të bëjnë praktikat mësimore në qendra spitalore apo shëndetësore.

Por kur, pas përfundimit të studimeve, pjesa më e madhe e këtyre studentëve (mbi 60% jam e bindur se PO) shkojnë për tregun gjerman a të një vendi tjetër (e jo të gjithë ushtrojnë profesionin e infermierit por rëndom atë të asistentit sanitar në shtëpitë e të moshuarve), ky nuk është thjesht një paradoks, por një dështim total i sistemit arsimor dritëshkurtër e aspak me një strategji afatgjatë të mirëmenduar.

Nëse sot po mbyllen në masë degë të shkencave të natyrës e shkencave shoqërore, duke varfëruar në sasi e cilësi formimin e mësuesve, kjo është një këmbanë alarmi që po ulëret prej shumë vitesh.

I gjithë zinxhiri i Arsimit, i djeshmi dhe i sotmi, është fajtor për gjendjen e sotme.

Share: