Home Gjeo-Ekonomia Kryetari i komunës: Shqiptarëve në Luginën e Preshevës u mungon mbështetja e...

Kryetari i komunës: Shqiptarëve në Luginën e Preshevës u mungon mbështetja e Tiranës dhe Prishtinës

Në Uashington ndodhet këto ditë kryetari i komunës së Preshevës dhe kryetar i Alternativës për Ndryshim, forcë politike në komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Shqiprim Arifi, i cili po paraqet tek zyrtarët amerikanë shqetësimet për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Zoti Arifi bisedoi gjatë emisionit të drejtpërdrejtë televiziv Ditari me kolegen Keida Kostreci.

Zëri i Amerikës: Gjatë takimeve tuaja këtu në Uashington një nga çështjet kryesore që diskutuat ishte ajo e fshirjes së adresave ose siç po quhet pasivizimit nga autoritetet serbe. Cilët hapa që janë marrë nga autoritetet lokale si ju në këtë drejtim, pra për ta adresuar këtë shqetësim?

Shqiprim Arifi: Pikë së pari është e dyta herë që jam në Amerikë, edhe të parën herë kur kam qenë në vitin 2020 pak para pandemisë ka qenë interesante sepse Departamenti i Shtetit nuk ka qenë aq i informuar rreth pasivizimit. Nga ai moment e tutje, këto tri vite ka lëvizur shumëçka në lidhje me pasivizimin në aspektin e përgatitjes të njohjes së fenomenit të pasivizimit, i cili nënkupton që shqiptarët në Luginë të Preshevës në mënyrë selektive, pra vetëm shqiptarët dhe jo serbët, pasivizohen, pra suspendohen nga adresa e tyre që e kanë pasur gjithmonë. Nga ai moment ata privohen edhe nga mundësia për të qenë shtetas në vazhdimësi në atë vend dhe u rrezikohen edhe pronat edhe shërbimet civile, por edhe identiteti i tyre në atë vend. Nga viti 2020 e këndej janë hartuar disa dokumente, së pari njëherë në raportin e Departamentit të Shtetit nga viti 2021 e kemi fenomenin e pasivizimit të adresave të përmendur, nga viti 2022 e kemi edhe në raportin për të drejtat e njeriut fenomenin e pasivizimit të përmendur. Në Bashkimin Evropian vitin e kaluar kemi arritur të bëjmë një rezolutë e cila e dënon ashpër pasivizimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës por edhe i kërkon Serbisë që të sqarojë se përse bëhet kjo ndaj shqiptarëve posaçërisht. Kështu që shumëçka ka lëvizur por rezultatet në terren janë ende zero sepse ne për momentin i kemi dhjetë mijë shqiptarë tashmë të pasivizuar dhe ky fenomen nuk do të ndalet dot nga Serbia sepse ju duhet ta kuptoni kudo që ka shqiptarë ne jemi peng dhe viktimë e dialogut. Pra një dialog i cili shkon në disfavor të Kosovës, shkon shumë në dëm të Luginës së Preshevës. Një dialog i cili shkon në favor të Kosovës do të shkonte edhe në favor të Luginës së Preshevës. Në momentin që po shkon në disfavor të Kosovës dialogu edhe ne po dëmtohemi në vazhdimësi. Kështu që pasivizimi është një çështje që unë i kërkova edhe të dërguarit amerikan (Gabriel) Escobar-it që të stopohet më, të bëhet një moratorium i këtij fenomeni në Serbi ndaj shqiptarëve dhe tash presim se çfarë do të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Meqenëse ju përmendët dialogun dhe se si ndikon drejtëpërdrejt ky dialog edhe në gjendjen e shqiptarëve në Luginë, si do të mund të kishte një rrugë për të përfituar nga ky proces për komunitetet shqiptare?

Shqiprim Arifi: Pyetje me vend sepse kërkesa e lidershipit shqiptar në Luginë të Preshevës me dekada, tani po bëhen dy dekada pas luftës së Kosovës, ka qenë që të ndërtojmë një logjikë të reciprocitetit ndërmjet serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Të gjitha arritjet që i bëjnë serbët në Kosovë në nivelin e të drejtave të tyre, ta kemi edhe ne të njejtën arritje, këtu ka dështuar totalisht politika e Kosovës 20 vitet e fundit, po sidomos këto dy vitet e fundit. Kjo për shkak se para dy viteve ne ende kemi pasur shpresë që të bëhemi pjesë e dialogut, të bëhemi temë e dialogut, ka qenë kërkesë e fortë e jona, por edhe ka qenë një pranueshmëri e nënkuptuar nga ndërkombëtarët, sidomos në Shtetet e Bashkuara apo edhe në Bashkimin Evropian. Por nga viti 2020, formën të cilën tash dialogu e ka marrë dy viteve të fundit nën udhëheqjen e (Albin) Kurtit, as nuk diskutohet më çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ka kulmuar në momentin kur është vendosur marrëveshja e Ohrit. Në momentin kur është vendosur marrëveshja e Ohrit, çështja e Luginës së Preshevës ka marrë fund, sepse në këtë marrëveshje fare nuk flitet për parimin e reciprocitetit dhe fare nuk përmendet Lugina e Preshevës e në këtë formë edhe te ndërkombëtarët nuk është më me interes të madh të futet Lugina në këtë dialog. Kështu që ne vetëm pësojmë tani nga dialogu, nuk përfitojmë asgjë më.

Zëri i Amerikës: Ju si përfaqësues politik dhe si përfaqësues në pushtetin lokal në Luginë, si mund të ndikoni ju brenda për brenda me qeverinë e Serbisë? A ka pasur ndonjë përparim në këtë drejtim në përpjekjet tuaja brenda Serbisë?

Shqiprim Arifi: Më bëtë pak për të qeshur sepse shikoni një Kosovë apo një Evropë të cilat nuk po mund t’i bëjnë asgjë Serbisë, e lëre më një komunë. Ne jemi përafërsisht 100 mijë shqiptarë atje, ne jemi të diskriminuar tani e 30 vite, politikat e Serbisë nuk kanë ndryshuar vetëm se është bërë lufta në Kosovë, sepse te ne kanë vazhduar ato politika diskriminuese. Ne nuk kemi fuqi, nuk kemi ushtri, nuk kemi lobim, nuk kemi as mbështetje nga Prishtina as nga Tirana që të merremi me Beogradin. Në Beograd nuk ka vullnet, ne po jetojmë në një shtet totalitar, në një dorë të zgjatur të viteve të ’90-ta që udhëheq atë shtet, të njëjtit politikanë që 30 vite janë duke udhëhequr Serbinë. Janë këta të njëjtit që i kanë bërë luftërat në Ballkan dhe i kanë diskriminuar dhe masakruar edhe shqiptarët, kështu që çfarë t’i bëjmë ne Beogradit? Ne nuk kemi fuqi të ndikojmë atje, e vetmja mundësi për neve është te Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara neve na mbështesin në vazhdimësi edhe me projekte por edhe me lobim dhe po mos të ishin Shtetet e Bashkuara në Preshevë neve sa për Prishtinën do të ishim të zhdukur. Kështu që në këtë kontekst është edhe një herë me më shumë rëndësi që Kosova të ketë një udhëheqje, një qeverisje e cila është partner i sinqertë i Shteteve të Bashkuara, i cili nuk u thotë që janë naive, por përkundrazi radhitet me ta kundër Serbisë dhe kundër Rusisë në kuadër të luftës së Ukrainës. Për momentin realiteti është ndryshe, aktualisht qeverisja e Kosovës i thotë naiv Uashingtonit dhe njëfarë lloj forme i lë të dyshojnë partnerët tanë edhe në Uashington edhe në Bashkimin Evropian se nga është Kosova e radhitur.

Zëri i Amerikës: Megjithatë përfshirja ose jo e kësaj çështjeje sigurisht që varet edhe nga elementë të tjerë, edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe siç e thatë edhe ju këto përpjekje po i bëni edhe ju. Në këtë drejtim sa herë që përmenden këto çështje shqetësuese, një nga nevojat që përmenden gjithmonë është ajo e bashkërendimit me Kosovën dhe Shqipërinë. Si e shihni ju këtë në këtë moment?

Shqiprim Arifi: Edhe një herë dua ta theksoj, një Kosovë sa më e fortë në arenën ndërkombëtare është një garanci për një Luginë të Preshevës sa më të mbrojtur nën administratën e Serbisë. Për momentin po ndodh një paradoks sepse Serbia është në njëfarë forme një viktimë në arenën ndërkombëtare, që është e çuditshme kjo, dhe është një shtet i cili po paraqitet thua se është shteti më demokratik. Kosova është vendi më demokratik në rajon, ndoshta edhe në Evropë. Për neve është shumë me rëndësi, për neve që jemi të rrezikuar të bëhemi Çamëria e dytë, si Luginë e Preshevës që jemi në këtë pozitë, ne jemi të rrezikuar të bëhemi Çamëria e dytë, dhe është shumë me rëndësi që Kosova dhe qeverisja e saj të jenë pikë së pari me vëmendje në Luginë të Preshevës, të faktorizohet Lugina e Preshevës, sepse serbët në veri të Kosovës janë të faktorizuar sepse Beogradi i ka faktorizuar ata, nuk i ka faktorizuar askush tjetër. Neve nuk na ka faktorizuar askush, për këtë arsye unë mbase ndonjëherë keqkuptohem, por po mundohem ta sqaroj se kritika ime është interne dhe konstruktive ndaj Prishtinës. Kritika ndaj Serbisë nuk do të ndalet sepse ne jemi kritik të brendshëm, ne vazhdojmë të kritikojmë, por edhe një herë e them kritika shkon me fuqi e ne nuk kemi fuqi ta ndryshojmë Beogradin dhe këtë mos ta presë askush.

Zëri i Amerikës: Shkurtimisht për një çështje praktike siç është njohja e diplomave, a ka pasur përparim në këtë drejtim?

Shqiprim Arifi: Fare hiç. Serbisë kjo çështje nuk i intereson. Te ne ka një ‘ikje truri’ të madhe për shkak se të rinjtë tonë vijnë me diploma bachelor, master dhe doktorate në Luginë të Preshevës, të cilët nuk pranohen dhe përfundojnë si kamarierë apo punonjës të thjeshtë në Luginë të Preshevës, pra nuk e gjejnë veten dhe pastaj ikin në Evropë ose Amerikë, kudo qoftë. Edhe këtu ka përgjegjësi edhe Prishtina edhe Tirana sepse do të mund të punonin në një mënyrë të harmonizimit të diplomave, të baraspeshimit të diplomës së Kosovës në Tiranë e cila pastaj pranohet në Serbi, as këtë nuk e kanë bërë. Do të thotë se ne jemi të diskriminuar, jemi të pasivizuar, jemi të nënçmuar, jemi klasë e dytë e shoqërisë në Serbi, nga Serbia dhe kjo nuk ndryshon, por jemi dhe të neglizhuar e të harruar totalisht nga vëllezërit dhe motrat tona në Prishtinë dhe Tiranë. Këtu është ajo pozita jonë e Luginës së Preshevës, por në të njejtën kohë përgjegjësia shtohet sidomos në Prishtinë të jenë shumë më afër nesh, të jenë shumë më konstruktivë me ne dhe të jenë ata të cilët na shpëtojnë nga kthetrat e Beogradit.

360grade.al

Share: