Home Gjeo-Ekonomia Kujt po i mburret Rama?! Shqiptarëve që morën kredi për të përballuar...

Kujt po i mburret Rama?! Shqiptarëve që morën kredi për të përballuar çmimet stratosferike në bregdet?

Nga Endri Shabani

Rama nxori dje një listë kërkimesh në google, duke u mburrur se medemek Shqipëria është në krye të listës botërore për turizëm.

Duke e lënë mënjanë vërtetësinë e kësaj renditjeje, vlen të shtrohet pyetja: Kujt po i mburret Rama?

Shqiptarëve që morën kredi për të përballuar çmimet stratosferike në bregdet? Apo po iu mburret 65% të shqiptarëve që nuk mundën fare të bëjnë pushime as këtë vit?

Krenohet me shifrat e turistëve, a thua se ata vijnë në Shqipëri për të kqyrur pikturat e Ramës apo për t’i dhënë dorën Taulant Ballës.

Edhe sikur Shqipëria të jetë vërtetë e treta në botë për turizëm kjo nuk është meritë e qeverisë, pasi turistët vijnë këtu për klimën dhe natyrën (detin, malet, liqenet apo lumenjtë) për të cilën qeveria nuk ka asnjë meritë.

Qeveria do kishte një farë merite nëse nuk do kishte betonizuar plazhet, apo nuk do kishte lejuar zaptimin e tyre me shezlongje dhe me gardhe.

Qeveria do kishte një farë merite nëse do të kishte përmirësuar gjendjen e transportit urban, dhe nuk do i kishte lënë turistët rrugëve.

Rama mund të mburrej nëse do kishte rritur sigurinë në rrugë nga adoleshentët pa patentë, sigurinë në plazh nga skafet e policëve, sigurinë në det përmes rojeve bregdetare, apo sigurinë ushqimore nga ushqimet e skaduara.

Por krejt e kundërta ka ndodhur.

Në fakt, një pjesë e turistëve të këtij viti mund të mos kthehen më kurrë në Shqipëri për faj të mënyrës se si qeveriset ky vend. Ndërkohë që disa fatkeqë nuk u kthyen më në shtëpi, pasi humbën jetën në det, në plazh apo në rrugë.

Por nëse ka një renditje botërore, me të cilën mund të matet puna e Ramës, është renditja botërore e cilësisë së jetës, ku Shqipëria renditet ende ndër vendet e fundit në Evropë.

Është pikërisht cilësia e ulët e jetesës çka i detyron mijëra shqiptarë të kryesojnë listën e azilkërkuesve të Evropës.

Dhe nuk është i vetmi vend.

Në fakt, ndër vendet më turistike në botë gjen Egjiptin, Tajlandën, Nepalin, Madagaskarin, Kamboxhian, madje edhe Afganistanin.

Njerëz nga e gjithë bota shkojnë për të pushuar në këto vende, por askush nuk do të jetojë aty. Madje shtetasit e këtyre vendeve rrezikojnë edhe jetën vetëm të largohen nga vendi i tyre.

Prandaj, nëse Rama do të mburret për pasojat e qeverisjes së tij 10 vjeçare, mund ta bëjë këtë vetëm kur Shqipëria të jetë kthyer në një vend për të jetuar, jo thjesht një destinacion për të pushuar.

Share: