Home KRYESORE Një shqetësim që duhet të ishte i tillë vite më parë.

Një shqetësim që duhet të ishte i tillë vite më parë.

Nga: Dr. Enriko Ceko

Nga burime të shumta informacioni mësohet se në klasë të parëpër vitin shkollor 2023 – 2024 do ulen në bangat e shkollës 29.000 fëmijë, ndërsa në klasën e dhjetë, pra fëmijë që janëdhjetë vite më të rritur se ata që janë tashmë në klasë të parë, rreth 43.000, nga të cilët rreth 27.000 në arsimin e përgjithshëm dhe rreth 16.000 në arsimin e mesëm professional, kur në vitin 1991 në arsimin nëntëvjeçar kishim rreth 580.000, shoqëruar më pas vetëm me rënie. Për shembull në vitin 2021 kishim 278.138 nxënës dhe në vitin 2022 rreth 267.265.

Në arsimin e mesëm, në vitin 1991 kishim rreth 160.000 nxënës, ndërsa në vitin 2021 rreth 103.467 dhe në vitin 2022 rreth 95.845 nxënës. 

Por kjo nuk është karakteristikë vetëm e popullsisë që ndjek arsimin fillor, nëntëvjeçar e të mesëm. Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezultoi 2.761.785 banorë, duke pësuar një rënie me 1.1 %, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2019 në Shqipëri kishte 2.854.191 banorë, në vitin 2020 kishte 2.837.849banorë, në vitin 2021 kishte 2.811.666 banorë dhe në vitin 2022, 2.793.592 banorë. 

Më 1 janar 2023 popullsia mbi 60 vjeç ishte afërsisht sa një e katërta e totalit të popullsisë dhe personat + 60 përbënin 23.5% të totalit të popullsisë me një rritje 1% në krahasim me vitin 2022 dhe me rritje 8.8% që nga viti 2011 kur u krye censusi i fundit për popullsinë, kur në vitin 2001 kjo grup-moshë zinte vetëm 11% të totalit të popullsisë. Tashmë në të gjithë vendin kemi 649,610 persona me këtë grup moshë, nga 449,061 që ishin në vitin 2011.

Me ritme të shpejta po rriten edhe personat mbi 80 vjeç që konsiderohet popullsia shumë e plakur. Numri i tyre arriti në 90,543 me 1 janar 2023 dhe zunë 3.3 për qind të popullsisë totale.

Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2022, u raportuan 686,923 të tillë.

Popullsia e Shqipërisë po bie me ritme të shpejta për shkak të rënies së lartë të lindjeve. Për 6 mujorin e parë të vitit numri ra me 12.7% ose 1500 më pak se të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të gjitha qarqet raportojnë rënie të numrit të bebeve të lindura, ndërsa përsa i përket vdekjeve ky tregues është shtuar ndjeshëm edhe pas kalimit të pandemisë.

Pavarësisht se shtesa natyrore është pozitive ku lindjet qëndrojnë mbi vdekjet, popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet në mënyrë të shpejtë. 

Sipas INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte vetëm 690 lindje më shumë sesa vdekje dhe po sipas INSTAT, numri i bebeve të lindura në 6-mujorin e parë është 12.7% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose thënë ndryshe rreth 1500 lindje më pak deri në qershor. Të kategorizuara sipas qarqeve, në 3 mujorin e dytë të vitit rezulton se vetëm një qark i vendit shënon rritje të numrit të lindjeve, ndërsa 11 qarqe të tjera shënojnë ulje. Pavarësisht se Tirana mban numrin më të lartë të lindjeve, ajo rezulton me shifra rënëse. Nga 2.059 lindje në gjashtëmujorin e parë 2022, tashmëka vetëm 1.846 lindje në gjashtëmujroj e dytë të 2023, ndërsa Gjirokastra regjistron numrit më të ulët të lindjeve me vetëm 84 lindje. Gjatë 10 viteve të fundit,  numri i lindjeve është ulur ndjeshëm, nga rreth 35 mijë në 2011, në rreth 27 mijë në 2021. Indeksi sintetik i fekonditetit, i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që lindë një grua në moshë riprodhuese është ulur në 1,34 fëmijë. Që çifiti të zëvëndësojë vetveten ky tregues duhet të jetë 2.1. Qarqet me indeksin më të madh të lindshmërisë në Shqipëri janë të Dibrës dhe të Kukësit, respektivisht me 2,31 dhe 2,26 fëmijë për grua. Qarqet me indeksin më të ulët janë Vlora dhe Korça, respektivisht me 0,91 dhe 1,15 fëmijë për grua.

Rënia më e madhe e popullsisë sipas të dhënave, vihet re tek grup moshat e reja. Kryesisht grup moshat deri ne 29 vjeç. Kjo për shkak të emigracionit. Numri i imigrantëve (atyre qëndryshojë vendbaniminbrenda vendit) në vitin 2022 ishte 13.963 persona, 51.9% më shumë krahasuar me një vit më pare dhe numri i emigrantëve (atyre që lënë vendin për të vazhduar jetën e tyre në një vend tjetër) ishte 46.460 persona, 10.5% më shumë, krahasuar me vitin 2021.

Grupmosha që është prekur edhe më tepër nga vala e emigrimitështë ajo e të rinjve midis 18 – 29 vjeç. Krahasuar me një vit më parë vendi ka 40 mijë të rinj më pak.

Një problematikë tjetrër që shoqëron sa më lart është fakti se raporti mes të rinjve dhe të moshuarve është reduktuar ndjeshëm. Sipas INSTAT 456.088 persona janë të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 439.225 janë të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë dhe 1.898.279 persona janë  individë të moshës 15 deri 64 vjeç. Në shtatë qarqe ka më shumë të rinj krahasuar me të moshuarit, përkatësisht në Dibër, Durrës, Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër dhe Tiranë. Ndërsa pesë qarqet që vuajnë më shumë plakjen e popullsisë ku dhe numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve janë në Berat, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë.  

Më 1 janar 2023, popullsia e Tiranës zinte rreth 33. 5 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10.5 % dhe 9.8 % përkatësisht. Sipas shifrave të vitit 2021, qarku me popullsinë mesatare më të madhe në Shqipëri është Tirana, me 915.850 banorë, i ndjekur nga qarku i Durrësit me 291.677 banorë. Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë mesatare më të vogël në vitin 2021 ishin të Gjirokastrës dhe Kukësit, respektivisht me 56.655 dhe 73.578 banorë. Gjatë vitit 2021, popullsia është rritur vetëm në qarqet Tiranë dhe Durrës, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin një normë negative të rritjes së popullsisë.

Dendësia e popullsisë mesatare në vitin 2021 ishte 98 banorë për km². Qarku i Tiranës kishte dendësinë më të lartë të popullsisë, me 554 banorë për km². Qarku me dendësinë e dytë më të lartë të popullsisë është ai i Durrësit, me 381 banorë për km². Nga ana tjetër, qarqet me dendësinë më të ulët të popullsisë janë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht me 20 dhe 31 banorë për km². Dhe e tërë kjo paradë shifrash tregon se ka një mungesë të balancës midis rajoneve të vendit, që sjell edhe keqmanaxhimin e burimeve natyrore dhe financiare, pasi ka zona të mbingarkuara me popullsi që sjell shfrytëzim jo shkencor tq burimeve natyrore dhe financiare dhe kla zona që janë të pasura me burime natyrore por që nuk manaxhohen, ose keqpërdoren për shkak të mungesës së kontrollit, pasi në këto rajone nuk ka popullsi aktive. 

Më 1 Janar të vitit 2022, mosha mediane për Shqipërinë ishte 38,2 vjet, duke pësuar një rritje në krahasim me 1 Janarin e 2021 që ishte 37.6 vjeç,  ndërkohë që pritet që të pësojë një tjetër rritje  për vitin 2023. Qarku i Tiranës sipas të dhënave të INSTAT ka popullsinë më të re në Shqipëri, me një moshë mediane prej 36,2 vjet, ndërsa qarku i Gjirokastrës rezulton me popullsinë më të vjetër në vend, me moshë mesatare 43,5 vjet.

Duket se këto shifra tashmë nuk janë këmbanë alarmi, por janëvetë bomba. Kjo për shkak të mungesës së perspektivës, kushteve ekonomike, mungesës së të afërmëve, shoqërisë, mungesës së infrastrukturës së përshtatshme dhe e shërbimeve tënevojshme publike dhe private, mungesës së mundësive për arsimim dhe kualifikim cilësor, dëshirës për pasurim të shpejtë, mashtrimit për lugën e florinjtë që do gjejnë në Perëndim, dëshirës për jetë më të lehtë dhe pa vështirësi, etj. 

Dikush mund të thotë dhe të përpiqet që të argumentojë se largimi I popullsisë jashtë është diçka që do sjellë përfitime në të ardhmen, por tashmë pas 30 vitesh të fillimit të emigracionit modern të shqiptarëve, nuk është se kemi parë ndonjë gjë të mirë, vetëm zbrazje, zbrazje, dhe vetëm zbrazje të territorit të Shqipërisë. Bëhet me qëllim apo jo mbetet për t’u shqyrtuar, por nëse vërtetohet se bëhet me qëllim, qëllimi është i keq. 

Nga ana tjetër, shikojmë se ka një shqetësim nga ana e autoriteteve, që mezi presin t’a shfaqin shqetësimin e tyrë nëpublik, si për të treguar se u ha meraku shumë për Shqipërinëdhe shqiptarët, por nëse këta shtetarë do ishin të shqetësuar, shqetësimi duhet të ishte treguar vite e vite më parë, sa pa plasur bomba, sepse tani gropat e bombave duhen vite e vite që të mbyllen.

Share: