Të 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë miratuar një deklaratë për të rikonfirmuar përkushtimin e tyre për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ky tekst është miratuar në mënyrë unanime në takimin e së hënës, një ditë para nisjes së debatit në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Fjalime do të mbajnë liderë nga shumë vende të botës.
Një grup i shteteve të udhëhequra nga Rusia ka kërcënuar me bllokim të Deklaratës për Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, mirëpo në fund nuk ka ndodhur asgjë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë se deklarata e së hënës mund ta përshpejtojë punën drejt jetësimit të objektivave të përbashkëta.
Deklarata përfshin përkushtimin për financim të vendeve në zhvillim dhe ofrimin e mbështetjes për një pako në vlerë të të paktën 500 miliardë dollarëve në vit.
Në mesin e 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm përfshihet dhënia fund e varfërisë dhe varfërisë ekstreme deri më 2030.
Këto synime janë përmendur fillimisht më 2015.
Megjithatë, pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë dhe kriza me borxhet në vendet e varfra, e kanë penguar përparimin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse gjërat ecin me këtë ritëm, 575 milionë njerëz do të jetojnë në varfëri ekstreme dhe më shumë se 600 milionë tjerë do të përballen me uri deri më 2030.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për më shumë përpjekje për arritje të synimeve.
“Ne e shohim që përparimi që e kemi synuar për botën, po ec me ritëm të ngadalshëm, e shohim që nuk kemi shënuar përparimin që e kemi dashur. Mirëpo kjo është arsye që të gjithë ne të kujdesemi për të arritur më tepër përparim”.
Kancelari gjerman ka thënë se vendet në zhvillim janë në pritje të ndihmës më të madhe ekonomike nga kombet e fuqishme.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nis zyrtarisht të martën dhe zgjat një javë. REL