Edhe pse shumica e ndërmarrjeve publike janë me humbje financiare, ato shtojnë organikën e tyre me gati 5% në çdo vit zgjedhor – një praktikë që sipas ekspertëve i ka kthyer ato në “vatra punësimi për qëllime elektorale”.
Gjatë një auditimi rutinë në vitin 2019 në kompaninë publike “Agrokredit”, punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit u habitën kur në dosjet e punës gjetën disa letra rekomandimi të firmosura nga Asambleja e Partisë Socialiste.
Në njërën prej tyre, zyrtarët e lartë të PS-së i sugjerojnë administratorit të kompanisë që të punësojë një të ri për kontributin e tij si aktivist i forumit rinor, FRESSH, si dhe mburrin me superlativa pjesmarrjen aktive të kandidatit në mitingjet e Partisë Socialiste.
“Është kontributor i shkëlqyer dhe ka qenë pjesëmarrës aktiv në organizatën rinore, FRESSH në periudhën që ishte anëtar i këtij forumi,” shkruhej në letrën e rekomandimit të parë nga BIRN.
Biografia politike familjare është një tjetër argument i përdorur për emërimin në “Agrokredit”. Sipas rekomandimit, edhe familja e kandidatit është mbështetëse prej një kohe të gjatë e Partisë Socialiste.
E themeluar në vitin 2009 nën pronësinë e Ministrisë së Financave, “Agrokredit” nuk është një strukturë politike, por një ndërmarrje publike me mision mbështetjen me kredi të sektorit bujqësor në Shqipëri. Më shumë se një dekadë pas themelimit, shoqëria numëron kredi të këqija në masën 28% dhe humbje vjetore prej 330 mijë eurosh në fund të vitit 2021 – por mban në organikën e vet rreth 130 punonjës në të gjithë vendin.
“Agrokredit” nuk është kompania e vetme publike që u ka hapur dyert militantëve politikë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe raporteve financiare tregojnë se ndërsa kompanitë kryesore publike janë me humbje, ato vazhdojnë të mbajnë organika të fryra dhe të shtojnë numrin e punonjësve të tyre mesatarisht me 5% për çdo vit zgjedhor.
Gjithashtu, rekrutimet në këto ndërmarrje kryhen në kundërshtim me rregullat në fuqi dhe nuk dokumentohen procese transparente konkurimi për të fituar vendin e punës.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ndërmarrjet publike kanë dalë tashmë nga misioni i tyre dhe shërbejnë gjithnjë e më shumë si ‘vatra punësimi për qëllime elektorale’.
“Pjesa dërrmuese e kompanive publike janë me humbje, por përdoren për vota dhe para,” thotë Pano Soko, aktivist i Nismës Thurje.
“Një pjesë e mirë e drejtuesve të këtyre kompanive përfitojnë nga liritë që ofrojnë, pasi në pjesën më të madhe procedurat funksionjnë jashtë rregullave të menaxhimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies së agjencive shtetërore, sepse kanë vetëadministrim,” shtoi ai.
Me humbje, por me organika të fryra
Gjatë vitit 2022, Shqipëria numëronte 28 ndërmarrje publike jo-financiare, dy ndërmarrje publike financiare dhe 122 ndërmarrje vendore ekstra-buxhetore. Sipas Institutit të Statistikave, këto ndërmarrje punësonin së bashku 18,433 punonjës gjithsej në fund të vitit 2022.
Ndërmarrjet publike janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit si shoqëri aksionere, operojnë përgjithësisht me shitjen e të mirave dhe shërbimeve publike dhe fare pak prej tyre janë me vetëfinancim.
BIRN analizoi të dhënat e katër kompanive publike jo-financiare, Albpetrol, OSHEE, OST dhe KESH si dhe ndërmarrjet lokale të ujësjellësave – të cilat strehojnë numrin më të madh të punonjësve në këtë sektor.
Kompania e naftës, Albpetrol regjistron humbje të akumuluara prej 108.5 milionë eurosh në fund të vitit 2022, ndërsa bilanci pozitiv i vitit prej 150 mijë eurosh shkoi për të zbutur humbjet e mbartura.
Në fund të vitit 2022, Albpetrol kishte 1685 punonjës dhe fondi i pagave për ta kap vlerën e 14.2 milionë eurove në vit ose gati 20% të shpenzimeve vjetore të kompanisë.
Kompania publike e nxjerrjes së naftës mban një barrë të rëndësishme të punësimeve në qarkun e Fierit, ndërsa përpiqet prej një dekade që të shfryjë organikën e vet.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se pavarësisht ristrukturimeve, numri i punonjësve të Albpetrol është rritur në çdo vit zgjedhor me të paktën 5% të organikës.
Në vitin 2016, numri i të punësuarve në Albpetrol ishte 1867, por në vitin zgjedhor 2017 kërceu në 2277 punonjës ose 410 persona më shumë. Një trend i ngjashëm e shoqëroi kompaninë edhe në vitet zgjedhore 2021 dhe 2023, ku gjashtë muaj përpara zgjedhjeve u shtuan respektivisht 122 dhe 129 punonjës.
Albpetrol prodhon 10% të naftës në vend, por ka trefishin e punonjësve të kompanisë Bankers Petroleum, e cila mbulon gati 83% të sasisë së naftës së prodhuar në Shqipëri. Gjatë vitit 2022, Bankers Petroleum kishte 550 punonjës dhe shpenzoi për fonde pagash rreth 8.6 milionë euro ose 60% të shumës që shpenzon Albpetrol për të njëjtin zë.
Në të njëjtën situatë duket se gjenden edhe tre kompanitë publike të sektorit energjetik, OSHEE, OST dhe KESH, të cilat punësonin së bashku 7700 punonjës gjatë vitit 2022. Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, organika e këtyre kompanive u shtua edhe me 400 punonjës ose 5% të totalit.
Sipas programeve ekonomike të kompanive, të siguruara nga BIRN, rritja e numrit të punonjësve është udhëhequr nga OSHEE, kompania e cila ka dhe punësimet më të larta në këtë sektor. Numri i punonjësve për kompaninë e shpërndarjes së energjisë vitin e shkuar ishte 6156, ndërsa këtë vit shkoi në rreth 6500 punonjës.
Një zyrtar i lartë i OSHEE-së, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se shtimi i punonjësve gjatë këtij viti i dedikohej një ristrukturimi që u synua të bëhej në qarkun e Dibrës.
“Në fillim të vitit, OSSH [Operatori i Sistemit të Shpërndarjes] që ka dhe numrin më të lartë në strukturën e burimeve njerëzore, ngriti një grup pune për të bërë ndarjen e drejtorisë rajonale të Dibrës në dy njësi, me qëllim rritjen e numrit të stafit, por ky plan nuk u realizua dhe u shtua vetëm organika,” tha ai.
Në një përgjigje me shkrim OSHEE konfirmoi se Drejtoria Rajonale Dibër nuk ishte ndarë, por theksoi se përsa i takon stafeve, ka një rritje me 50 punonjës në rang vendi për nevoja të mbulimit me shërbim në zona të largëta.
OSHEE shpenzoi 60 milionë euro për pagat e punonjësve gjatë vitit 2022, ndërsa këtë vit fondi është rritur me 19 milionë euro për shkak të shtimit të organikës, rritjes së pagave me 7.5% për indeksimin e inflacionit dhe dhënies së një page vjetore shpërblim.
Edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, miratoi një strukturë të re organizative në dhjetor të vitit të shkuar dhe numri i punonjësve u rrit nga 765 në 794 punonjës. Shtesa me 29 punonjës i dedikohet një njësie të re që do të merret me menaxhimin e projektit të Skavicës, për të cilën janë rekrutuar punonjës në zonën e Dibrës. Paga mesatare në KESH është 87 mijë lekë, ndërsa shpenzimet vjetore për fondin e pagave janë 8.1 milionë euro.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST ka rritur me 60 punonjës numrin e personelit për vitin 2022. Shpenzimet për paga kapin vlerën 12.5 milionë euro nga 9 milionë euro që ishin pesë vite më parë.
Gangrena e ujësjellësve
Në nisje të krizës të çmimeve të larta të energjisë, qeveria kthehu dhe njëherë sytë nga borxhet që 57 ndërmarrje vendore të ujësjellës – kanalizimeve kishin për faturat e papaguara të energjisë elektrike.
Në fund të vitit 2021, detyrimet e ujësjellësave për energjinë kapnin vlerën e 110 milionë eurove. Kriza e borxheve e shtyu kryeministrin Edi Rama që të ndërmerrte një reformë në sektorin e ujësjellësve – duke i grupuar shoqëritë sipas rajoneve, me shumicën e aksioneve në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ekonomisë.
Ndërsa kritikoi kryebashkiakët për gjendjen në ujësjellësa, Rama premtoi se “do t’i nxirrrte nga duart e politikës punësimet” në këto ndërmarrje.
Por nga aksioni i vitit 2021, numri i të punësuarve në ndërmarrjet e ujësjellësve është ulur me vetëm 88 punonjës, ndërsa kostoja për pagat e personelit është rritur me 2.2 milionë euro, kryesisht nga rritja me ligj e pagës minimale. Në total, ndërmarrjet e ujësjellësave shpenzuan 45 milionë euro për fondin e pagave të 8528 punonjësve të tyre.
Sipas Entit Rregullator të Ujit, ERRU, shkurtimi i 88 punonjësve ka sjellë një përmirësim të lehtë në performancën e sektorit.
“Treguesi i eficencës së stafit për vitin 2022, ka një përmirësim të lehtë dhe rezulton në nivelin e 4.6 punonjës për 1000 lidhje uji, nga 4.9 punonjës për 1000 lidhje që ishte në vitin paraardhës,” thuhet në raportin vjetor të Entit Rregullator të Ujit.
Të dhënat e ERRU tregojnë se kompanitë kanë paga dhe sigurime shoqërore të papaguara për stafin për shkak të mungesës së likuiditetit dhe morën sërish subvencion nga qeveria edhe vitin e shkuar. Ekzekutivi ndihmoi me 1.3 milionë euro për pagesën e sigurimeve dhe 160 mijë euro për rrogat e disa ndërmarrjeve në prag falimenti. Borxhet ndaj sektorit energjetik për faturat e papaguara të energjisë u shtuan me 19 milionë euro, duke kapur një total prej 129 milionë euro në fund të vitit që shkoi, pa përfshirë kamatat.
Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se gjatë dekadës së fundit vërehet një rritje e ndikimit politik në ndërmarrjet shtetërore, përfshirë edhe ujësjellësat.
“Në ndërmarrjen Ujësjellës -Kanalizime Tiranë që nga viti 2003, 6 nga 9 administratorët kanë qenë me prejardhje të qartë politike, 3 të tjerë nga qarqe të larta të partisë dhe me funksione,” tha Preçi.
‘Punësim elektoral’
Kur audituan kompaninë “Agrokredit” në vitin 2019, inspektorët e KLSH-së nuk gjetën probleme vetëm me rekomandimet partiake në dosjet e punës së punonjësve. Ata konstatuan gjithashtu se kompania publike e kishte fshirë konkurimin nga procedurat e rekrutimit si dhe kishte shpërndarë dieta dhe shpërblime përtej parashikimeve buxhetore.
“Nga auditimi i dosjeve të personelit është verifikuar se në vitin 2018, të gjitha rekrutimet e reja janë realizuar pa konkurim, është bërë publikimi i pozicionit vakant, por nuk është zhvilluar konkurim për pozicionin. Emërimi është bërë direkt nga administratori i kompanisë,” thuhet në raportin e Auditit.
Të njëjtat probleme me rekrutimet e punonjësve të rinj janë gjetur edhe në kompanitë e tjera publike, OSHEE dhe OST.
Audituesit e KLSH-së kanë vërejtur se nuk ka gjurmë të procesit të rekrutimit të punonjësve dhe as transparencë si në OSHEE, ashtu edhe në OST.
“Procedura e ndjekur gjatë kësaj përzgjedhjeje nuk është e qartë dhe transparente, sepse nuk ka të dokumentuar asnjë nga hapat që duhet të ndiqen për rekrutimin e punonjësve të rinj,” thuhet në një raport auditi të ushtruar në vitin 2023.
Auditi thekson gjithashtu se janë dhënë dieta dhe shpërblime jashtë vlerës së lejuar, edhe pse OSHEE dhe kompanitë bija të saj, OSSH dhe FSHU, kishin humbje prej 143 milionë eurosh në bilancin e vitit 2021.
Ndërkohë, në kompaninë e naftës Albpetrol, KLSH ka theksuar në një raport të vitit 2022 se brenda dy viteve ishin ndryshuar 6 administratorë dhe 59 drejtorë gjatë viteve 2021 dhe 2022.
“Vetëm në dy vitet e fundit në Albpetrol janë emëruar 287 punonjës dhe janë larguar 333 të tjerë. Vlera e dëmshpërblimeve për ndërprerjet e paligjshme të marrëdhënieve të punës në këtë periudhë arriti në 1 milion euro,” shtohet në raport.
Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike i tha BIRN se numri i punonjësve të ndërmarrjeve publike nuk justifikohet me shërbimin që ato ofrojnë, ndërsa theksoi se procedurat për rekrutimet dhe largimet janë zhbërë për shkak të përdorimit politik.
“Gjatë dy dekadave të fundit, asnjë nga anëtarët e Këshilla Mbikëqyrëse nuk i ka mbijetuar ndryshimeve që sjell rezultati elektoral. Janë thjesht kambiale që nënshkruhen në fushatë dhe me të ndryshuar qeverisja, përdoren politikisht. Ka raste të shpeshta të këtyre ndryshimeve edhe kur ndryshon ministri, brenda të njëjtës mazhorancë,” tha Preçi.
“Mungojnë procedurat sa i takojnë rekrutimeve dhe largimeve nga puna dhe në këto pozicione më shumë se gjysma e stafit janë të rastësishëm dhe jashtë profesionit, çka do të thotë që janë thjesht shpërblime politike,” tha Preçi.
Edhe Pano Soko nga Nisma Thurje vlerëson se ndërmarrjet publike janë një mekanizëm i rëndësishëm në atë që ai e quan korrupsion zgjedhor.
“Punësimi elektoral në kompanitë publike është pandemi. Sa herë vijnë zgjedhjet, numri i të punësuarve rritet. Kompanitë që janë një shembull për këtë është OSHEE, ujësjellësat, Albpetroli, Posta Shqiptare. Këto janë firma që ofrojnë mbi 1 mijë të punësuar dhe përdoren më tepër si hambar punësimi në zgjedhje,” tha Soko për BIRN.
“Në vend ta paguash votën me lekë, nuk e bën më kështu. Partitë politike e bëjnë përmes punësimeve dhe i thonë t’i do të vish të punësohesh dhe në këmbim do të më japësh votën,” shtoi ai.
Ish-administratori jetëgjatë i OSHEE-së, Ardian Çela i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se ndryshe nga vitet e mëparshme, organet drejtuese kishin hequr pagën e 13-të, ndërsa kishin miratuar një shpërblim prej 20 mijë lekësh për punonjësit e terrenit, që sipas tij kishin shërbyer në gatishmëri për shkak të kushteve ekstreme të motit në fillim të vitit të kaluar.
“Dhe vlen të theksohet se shpërblim morën vetëm elektricistët e terrenit dhe gatishmërisë në zonat e rrezikuara nga moti i keq. Asnjë drejtues dhe punonjës i administratës nuk mori shpërblim,” tha Çela.
Ndërkohë KESH i tha BIRN se rritja e numrit të punonjësve erdhi si rrjedhojë e nevojës së mbulimit me personel të veprimtarive te shoqërisë.
Kompania Albpetrol nuk iu përgjigj kërkesës për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Bordet, të mbushur me këshilltarë dhe zv.ministra
Bordet e ndërmarrjeve shtetërore në Shqipëri janë gjithashtu tejet të politizuara dhe janë kthyer në një mundësi për të shtuar pagat e zyrtarëve të lartë të administratës.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se në pjesën dërrmuese të bordeve udhëheqin drejtuesit e lartë, këshilltarët e ministrave, sekretarët e Përgjithshëm dhe zv. Ministrat, duke i përdorur kompanitë si një mundësi e artë për të marrë shtesë page, shpërblime dhe dieta.
Këshilltari i një ministri që foli me BIRN në kushtet e anonimatit pranoi se të ardhurat shtesë nga bordet kishin qenë një arsye më shumë për ta pranuar pozicionin politik.
“Unë kam patur një punë të mirë dhe të mirëpaguar në sektorin privat dhe më kërkuan të mbaja postin e këshilltarit të ministrit. Vetë ministri më kërkoi dhe më premtoi se do të kisha një pagë dinjitoze, pasi do të më vendoste në dy borde, sepse në të kundërt nuk lëvizja,” tha këshilltari.
“S’mund të shkoja me pagë më të ulët sesa isha. Janë disa që shkojnë, por i nxjerrin ndryshe,” shtoi ai.
Inspektimet financiare të brendshme dhe ato të kryera nga KLSH ndër vite kanë konstatuar se në disa vendime, bordet kanë marrë vendime në konflikt interesi duke shpërblyer veten me pagë.
Edhe në auditimin e ushtruar pranë Albpetrol këtë vit, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se anëtarët e bordit kishin shpërblyer veten me një pagë me vlerë 223 mijë lekë të rinj dhe kishin përfituar qindra litra karburant pa patur asnjë dokumentacion justifikues.
Një tjetër kompani që ka shpërndarë shpërblime të majme gjatë vitit të fundit është Korporata e Investimeve, ku gjashtë anëtarët e bordit kanë ndarë 83 mijë euro shpërblime në vitin 2021 dhe 187 mijë të tjera gjatë vitit 2022.
Pano Soko nga Nisma Thurje i tha BIRN se bordet e ndërmarrjeve publike, jo vetëm që janë të mbushura me përfaqësues politikë, por edhe nuk funksionojnë realisht.
“Bordet janë qoka që i jepen njerëzve me pushtet ose pranë pushtetit,” tha Soko, ndërsa shtoi se: “bëjnë mbledhje për të marrë pagesën, sepse udhëzimet vijnë nga lart”.