Nga Isak Ramadani
Në Shkup u mbajt konferenca e presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të njohur si “Bërdo – Brioni”. Në takim është diskutuar mbi integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian, shqetësimet rreth ndryshimeve klimatike dhe shpërnguljen e të rinjve drejt vendeve të Perëndimit.
Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë theksuan se “çështjet e hapura në mes vendeve kandidate për anëtarësim në BE nuk duhet ta zvarrisin integrimin e tyre në familjen evropiane”.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret përkrahjen sidomos të Kroacisë për heqjen e masave sanksionuese evropiane ndaj vendit të saj.
Nisma kroato-sllovene e njohur si Procesi Bërdo – Brioni kësaj radhe mlodhi në Shkup presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi integrimet evropiane, efektet e ndryshimeve klimatike dhe emigrimin e shtuar të rinisë drejt vendeve perëndinore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi si takimin më konstruktiv të presidentëve të rajonit në kuadër të këtij procesi dhe më gjerë, duke bërë të ditur se nuk ka pasur mospajtime në temat e propozuara të takimit.
Veç temave të integrimit, emigracionit dhe klimës, presidentët kanë diskutuar në takimet dypalëshe para dhe pas konferencës lidhur me çështje të tjera.
Zonja Osmani tha se i ka njoftuar presidentin kroat Milanovic dhe atë maqedonas Pendarovski lidhur me gjendjen në veriun e Kosovës.
“Deeskalimi i situatës nuk është temë që varet nga shumica dërmuese e presidentëve që ishin ulur rreth kësaj tavoline. Eskalimi i situatës është shkaktuar për shkak të strukturave ilegale të dhunshme, të cilat i marrin urdhërat në Beograd. Pra, sa u përket shteteve të BE-së, që në këtë rast ishin vetëm Sllovenia dhe Kroacia, ato kanë mbajtur qëndrimin e tyre brenda 27-s së BE-së dhe kërkesat e propozimet e BE-së tashmë janë të qarta. Me presidentin e Kroacisë (Zoran Milanoviç) diskutuam në detaje për këtë temë dhe mbi të gjitha për nevojën që BE-ja t’i largojë masat në raport me Kosovën, të cilat absolutisht janë joproporcionale. Ne presim që shtetet të cilat na kanë përkrahur aq fort siç është Kroacia, ndër të parat të ndërmarrin hapat për të inicuar largimin e këtyre masave”, tha presidentja Osmani.
Organizatorët e Procesit Bërdo – Brioni, presidentët Zoran Milanovic dhe Natasha Pirc Musar të Kroacisë, përkatësisht Sllovenisë thanë në një konferencë shtypi se problemet apo çështjet e hapura në mes vendeve kandidate për anëtarësim në BE nuk duhet ta zvarrisin integrimin e tyre në familjen evropiane, teksa presidenti Milanovic tha se është mirë që ekziston dialogu për zgjidhjen në mënyrë paralele të problemeve në mes shteteve, siç është rasti me Kosovën dhe Serbinë.
Lidhur me komentet e fundit të presidentit francez Macron për “një Evropë me dy shpejtësi” duke iu referuar zgjerimit të Bllokut, zoti Milanovic tha se “nuk e shoh se si mund të funksionojë kjo gjë dhe nëse është një propozim zyrtar i presidentit Macron kjo nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë”, tha ai.
Sikurse presidenti kroat edhe homologia e tij sllovene vlerësojnë se një nismë e mundshme në Bruksel lidhur me qëndrimet e zotit Macron nuk do të kishte mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Nga ana tjetër, presidenti kroat foli me tone kritike për burokracinë e Brukselit lidhur me politikat e zgjerimit.
Presidenti shqiptar Bajram Begaj në takimet dypalëshe me homologët e rajonit ka diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit midis shteteve dhe dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë e mirëqenies në rajon.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është shprehur për median serbe pas konferencës se anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është një dëshirë e mirë, por se ai nuk dëshiron t’ua prishë optimizmin të tjerëve. “Nuk jam i sigurt se kjo mund të realizohet”, ka theksuar ai. Ndërkohë, ai ka kritikuar Kroacinë dhe Bullgarinë se po përzihen në punët e Serbisë kur kërkojnë vendosjen e sanksioneve nga ndaj Rusisë.
Në takimin e Procesit Bërdo-Brioni ishin të gjithë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëdinor.
Ata kanë miratuar një deklaratë të përbashkët ku theksohet rëndësia e përpshpejtimit të integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, pastaj nevojën e përshtatjes ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe masat që do të siguronin shoqëritë për të mbajtur të rinjtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.