Home Gjeo-Ekonomia Vritet një polic, plagosen dy të tjerë në Kosovë!!Reagimet e ashpra te...

Vritet një polic, plagosen dy të tjerë në Kosovë!!Reagimet e ashpra te SHBA e të tjerëve

Një sulm me armë ka ndodhur në veri të Kosovës në Leposaviç në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku ka mbetur i vrarë një polic dhe dy të tjerë janë plagosur. Nga sulmi ka humbur jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter.

Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 në veri të Mitrovicës, ku njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa.

Efektivët janë nisur në drejtim të vendngjarjes dhe sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada,  kanë hasur në rezistencë dhe janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore. Armët kapën tre policë.

Njësitë policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga vendngjarja dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut.

Për rastin ka reaguar ashpër SHBA, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, etj, të cilët e quajnë sulm të orkestruar.

11:20 U plagos në krye të detyrës, stabilizohet gjendja e njërit polic

Polici i plagosur Alban Rashiti është operuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku i është hequr predha nga kraharori i majtë.

11:04 Kurti thërret mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Kryeministri Albin Kurti ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas ngjarjes në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një efektiv policie.

10:42 SHBA dënon ashpër vrasjen e policit në Kosovë: Sulm i orkestruar

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara “ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një efektiv. b“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.

09:37 Foto/ Ky është Afrim Bunjaku, polici që mbeti i vrarë në veri të Kosovës

09:11  Konjufca: Sulm i strukturave të drejtuara nga Serbia!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, thotë se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa i bën thirrje SHBA e BE që të dënojnë agresionin. “Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca,

08:46 Kurti: Akt terrorist, krimi i organizuar nga Beogradi po sulmon shtetin tonë

” Të dashur qytetarë. Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda. Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”

08:26 Osmani ndërpret vizitën në New York: Sulme të organizuara nga Serbia!

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

Top Channel

Share: