Home Gjeo-Ekonomia Banka e Shqipërisë: Kredia e re për ekonominë në vlerën 24.8 miliardë...

Banka e Shqipërisë: Kredia e re për ekonominë në vlerën 24.8 miliardë lekë në shtator

Kredia për ekonominë u rrit për të dytin muaj radhazi në shtator. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për shtatorin kishte vlerën e 24.8 miliardë lekëve, në rritje me 21.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithsej, për 9-mujorin e vitit 2023 sektori bankar ka dhënë gjithsej 216 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 3.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kredia e re po rritet paralelisht, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve. Për shtatorin kredia e re për biznesin kishte vlerën e 16.9 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30 % krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Për 9-mujorin kredia e re për bizneset arriti vlerën totale të 141.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 2.7 %.

Edhe kredia për individët vazhdon një rritje të qëndrueshme gjatë këtij viti. Për shtatorin, kredia e re për individë arriti në 7.8 miliardë lekë, në rritje me 10.8 % krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Për 9-mujorin, disbursimet e reja kishin vlerën e 67.4 miliardë lekëve, 3.2 % më shumë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme vazhdon të përbëjë shtyllën kryesore të rritjes së kreditimit të individëve. Oferta e lartë e bankave dhe rritja e moderuar e normave të interesit vazhdojnë të mbështesin investimet e reja në prona./ ATSH

Share: