Komisioni Evropian do të shqyrtojë rrezikun që paraqet përdorimi i katër teknologjive kritike si armë lufte, mes tyre gjysmëpërçuesit dhe inteligjenca artificiale. Blloku do të vlerësojë përdorimin e teknologjisë nga vende që nuk ndajnë të njëjtat vlera dhe do të marrë masa vitin që vjen për ta trajtuar këtë çështje, tha të hënën një zyrtar i BE-së.
Masa është pjesë e strategjisë për sigurinë ekonomike të Bashkimit Evropian, të shpallur në qershor, dhe i bën jehonë masave të ngjashme të marra nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe vende të tjera përballë shqetësimeve që paraqet qëndrimi i Kinës.
Dy teknologjitë e tjera kritike në listën e BE-së janë teknologjia kuantike dhe bioteknologjia, si vaksinat dhe sekuenca e gjenomit.
“Komisioni dhe shtetet e tjera anëtare do të shqyrtojnë rreziqet që paraqet përdorimi i këtyre katër teknologjive. Afati është deri në fund të vitit. Hapi tjetër është zbutja e rreziqeve vitin e ardhshëm”, tha zyrtari në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ndër masat e mundshme mund të jenë edhe kontrolli i eksportit dhe partneriteti me aleatët që ndajnë të njëjtat vlera.
Bashkimi Evropian është përpjekur vitet e fundit që të zvogëlojë varësinë nga Kina dhe vende të tjera për produkte kyçe, pas ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. që shkaktoi një krizë energjetike për bllokun.
360grade.al