Nga Shaban Murati
Stacioni prestigjioz amerikan “CNN” njoftonte në 18 tetor me titullin “Ministri i brendshëm francez bën akuza të pabaza për yllin e futbollit Karim Benzema” se ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin në një intervistë në televizionin francez akuzoi Benzemanë se është i lidhur me organizatën terroriste “Vëllazëria myslimane”. CNN thekson se ministri francez nuk solli asnjë fakt ose të dhënë për të mbështetur akuzat e tij.
Fill pas ministrit të brendshëm vrapoi menjëherë dhe senatori Valerie Boyer, zëvendëspresident i Partisë Republikane, i cili kërkoi që Karim Benzemasë t’i hiqej shtetësia franceze.
Çfarë krimi bëri shtetasi francez Karim Benzema, fitues i “Topit të Artë” për vitin 2022 dhe që ka përfaqësuar Francën me kombëtare e saj rreth 100 herë?
“CNN” shkruan se akuzat kundër tij erdhën pasi ylli i futbollit francez Kari Benzema shkroi në Twitterin e tij: “Gjitha lutjet tona shkojnë për popullin e Gazës, viktimë edhe njëherë e bombardimeve të padrejta, që nuk kursejnë as gratë dhe as fëmijtë”. Pra nuk bëri asnjë akuzë me emër ndaj atyre, që i shkaktojnë bombardimet dhe vuajtjet e popullit të Gazës.
Por qeveritarët e njëanshëm francezë nuk mund të tolerojnë lirinë e shrehjes së mendimit të qytetarëve, nëse nuk përputhet me njëanëshmërinë qeveritare. Krimi real i Karim Benzemasë është të qenit e tij mysliman dhe me origjinë arabe. Ky linçim qeveritar është linçim fetar.
Ky linçim don të thotë se komuniteti prej mbi 5 milion shtetasish francezë të fesë islame duhet të rrijnë gojëmbyllur dhe të mos gëzojnë të drejtat dhe liritë e shprehjes, që u jep Kushtetuta Franceze, me të cilat Parisi mburret në katër anët e globit.
Ky linçim fetar qeveritar i yllit të futbollit francez, Karim Benzema, përbën një turp për Francën dhe tregon se “liberte, egalite dhe fraternite” kanë mbetur vetëm një kujtim muzeal historik.