Nga Flutura Açka
Gjithfarë skenaresh hipotetikë po thuren këto ditë mbi fatin e Kongresit të Partisë Socialiste, që do të mbahet javën e ardhshme a ditët e ardhshme, asisoj, sa thuhet madje se mund të sjellë përmbysje në politikën shqiptare, madje të ndryshojë edhe fatin politik të qeverisë dhe të vetë kryetarit të saj, Edi Ramës.
Ka madje edhe zëra – nga po i njëjti burim i nëndheshëm politik i ushtrisë së paguar mediatike – se Shqipëria jonë, e cila është veç një pikë për KM tonë të lindur për gjeopolitikë, po përgatitet për një ngjarje të madhe: KM tonë po i luten të marrë drejtimin e NATO-s!
Qysh kur Jels Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pranoi ta shtynte me zor mandatin e tij edhe për një vit, pas konfliktit Ukrainë-Rusi, posti i tij po lakmohet shumë, dhe në themethashën europiane janë përfolur shumë emra, njëri prej të cilëve mund ta marrë postin së paku deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur NATO bën 74 e katër vjet.
Në variantin prej kithi shqiptar të mjegullës europiane qe bie në Shqipëri, Edi Rama është dinjitari më i sigurt për këtë post dhe i vetmi problem është se as ky post nuk është i plotë për staturën e tij të madhe.
Që kjo është një shaka dilentësh e shpurës së tij mediatike, e tregon fakti i thjeshtë se asnjë politikan europian nuk mund ta marrë atë post pa bekimin e Amerikës.
Dhe, për fat të keq, udhëtimi i fundit i kryeministrit tonë në SHBA, e tregoi qartë se KM ynë nuk i ka aq mirë punët me partnerin tonë më të rëndësishëm strategjik. Dhe arsyeja dihet: askush – çfarëdo politikani, i çfarëdo vendi – para KM tonë, nuk kishte guxuar të luante 007-tëshin me zemrekun mbrojtës të Amerikës.
Kurajo e madhe të bësh akrobacira me zotin McConigal, nuk ke ç’thua!
Në mjegullën europiane të endur këto ditë, një gjë po profilohet qartë: një nga figurat më të sigurta, ose më i sigurti, për këtë post – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s – është Mark Rutte, kryeministri pa portofol, pra kryeministri në ikje, i Holandës.
Shqiptarëve iu kujtohet mirë: Ky është Kryeministri që erdhi me këpucë të grisura në Samitin Europian që u mbajt vitin e shkuar në Shqipëri. Një “faj” që Shqipëria, me pak mirësi, mund ta kishte kaluar pa e vënë re. Por ishin po këto media pranë, dhe miq të KM shqiptar, që e kthyen në humorin e ditës të çarën e këpucës, dhe me gjithë përpjekjet kryeministrore për ta përmbajtur, skeçi shqiptar i këpucëve të grisura të Mark Ruttes, mori dhenë.
Vendi dhe koha që i dha media shqiptare këpucëve të grisura të kryeministrit holandez në Samitin Europian të vitit të shkuar, ishte një nga gjërat më të shëmtuara në syrin tim. Atë kohë, nuk u përfshiva fare në debatin mbi hargalisjen shqiptare, por e pashë si një nga gjërat më të shëmtuara me të cilën media mund të merrej.
Pati madje prej atyre që e shitën këtë shfaqje si huq i “gobsekëve” holandezë, duke e mveshur diskutimin edhe me një soj racizmi të fshehur, të tjerë duke e parë si shkujdesje kryeministrore holandeze për shkak të rëndësisë së pakët që kanë për liderët europianë vizitat në Shqipëri, të tjerë e trajtuan me shpotinë se këpucët ia paskësh grisur biçikleta dhe ecjet e shumta nëpër pushtetin e gjatë.
Në të vërtetë, këpucët e grisura të Ruttes iu bëjnë pështypje vetëm njerëzve që merren me sipërfaqen, dhe jo me thelbin. Asnjëra prej mediave të vendit të vet, nuk është marrë ndonjëherë me këpucët e kryeministrit të vet, sepse kryeministri holandezëve iu duhet për punë të mëdha, jo për show-ra të mëdhenj. Kryeministri iu desh holandezëve gjatë ditëve të vështira të COVID-19, kur nuk iu nxorri tanket në rrugë, por organizoi shpëtimin e vërtetë të popullatës.
Gjithsesi, për t’u kthyer aty ku e nisa shënimin tim. Çfarëdo që të sjellë ky kongres i PS-së, po ajo gjellë e dhjetë viteve të fundit do të gatuhet, po atë shije të njohur të zbarët do të ngjërasin shqitarët te haja e tyre politike.
Kështu që ky kongres propagandistik mund të sjellë gjithçka, por natyrisht jo liderin e NATO-s, sepse vendi është tashmë i zënë, nëse jo nga Mark Rutte, nga dikush tjetër.
Keqardhje e madhe për NATO-n, që në vend të atleteve të stisura të KM shqiptar, preferon këpucët e grisura të KM holandez, por ka një ndryshim thelbësor mes këtyre dy kryeministrave jetëgjatë.
KM holandez, pas 13 vitesh në qeverisje, kërkon ndjesë që qëndroi aq gjatë dhe se për shkak të kësaj gjatësie, disa punë nuk i ka bërë siç duhet t’i bënte, ndërsa KM shqiptar, edhe pas dy mandatesh të plota e dy vjet nga mandati i tretë, po “siguron” me të gjitha mjetet e mundshme të tij edhe 13 vite të tjerë, dhe këto mes reformash të mëdha që e këputën Shqipërinë në mes.
Mes të tjerash edhe duke shkatërruar me vullnet Opozitën, duke hedhur kripë në plagët e mahisura të Opozitës, duke ndihmuar fshehur e hapur atë pjesë të Opozitës që ia bën më të sigurtë pushtetin, por duke harruar se nuk ka demokraci pa Opozitë, dhe nëse nuk ka demokraci, nuk do të jetë as ai vetë.
Qoftë kjo edhe me atlete e petka të stisura, qoftë edhe nëse për show begenis të veshë, më në fund, këpucë të grisura.
Në foto: Karikatura Planifikimi i karrierës @ Bas van der Schot, de Volkskrant, 30 tetor 2023
Fotot e tjera: Trajtimi serioz i këpucës së grisur nga media shqiptare