Home KRYESORE “Nuk reagove për ‘Gërdecin’ dhe ’21 Janarin’”/ Malltezi: Më dhemb zemra, ka...

“Nuk reagove për ‘Gërdecin’ dhe ’21 Janarin’”/ Malltezi: Më dhemb zemra, ka llogari para Zotit dhe…

Bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, Argita Malltezi ka deklaruar se nuk ka reaguar publikisht për problematika që kanë shënjuar historinë e demokracisë në Shqipëri, si “21 Janari” dhe “Gërdeci”, sepse nuk ka qenë një person publik.

Për “Top Story”, Malltezi tha se njeriu ka një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Dhe pavarësisht se rrethanat kanë treguar qartë se nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore, sa herë që shikon situatën e Gërdecit i dhemb zemra.

Rakipllari: A ju kanë bërë përshtypje ndonjëherë sepse nuk ju kemi parë të reagoni kur ka pasur pretendime ndaj babait tuaj. U vranë 4 njerëz në Bulevard, u vranë mbi 100 njerëz në Gërdec, nuk u kemi parë ta ngrini zërin ndaj këtyre rasteve për të cilat opozita e asokohe ka akuzuar babanë tuaj, ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ju reagoni kur ka diçka ndaj jush, por jo ndaj rasteve të tjera sepse babai juaj ka qenë protagonist kryesor i ngjarjeve të këtyre 30 viteve.

Malltezi: Unë jam këtu sepse mendoj që kam një detyrim për të shpjeguar karshi atyre qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Nuk jam këtu për t’i kërkuar askujt asgjë. Kjo çështje është një çështje e zhveshur totalisht nga materia, është një çështje që do të përthahet shumë shpejt, po aq në mënyrë të çuditshme sa nisi. Kështu që duke mos qenë njeri publik, nuk pritej nga unë një reagim publik për ato situata. Por të jeni të bindur që të gjitha ato situata rëndojnë. Pavarësisht fajit, që është diçka krejt tjetër, situata vetë rëndon.

Këto janë ndodhi që shoqërojnë rekursin politik dhe historik të një vendi, është fatkeqësi e madhe dhe një peshë e rëndë përballja me to. E rëndësishme është që njeriu të ketë një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Kjo e dyta ka treguar qartë që nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore. Dhe e para, unë sa herë që e shikoj situatën e Gërdecit është një gjë që më dhemb zemra. Nuk është se kalohet thjesht.

Top Channel

Share: