Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare pas dy viteve të pandemisë ishte e fortë dhe ndër më të lartat në rajon.
Por, ndërsa stimujt e parë mbaruan, ekonomia po vijon të zgjerohet me ritme të ngadalësuar. Në gjashtë muajt e parë, mesatarja ishte 3%. Kjo rritje ekonomike për ekspertët nuk prodhon mirëqenie të mjaftueshme.
“Mundësitë e ekonomisë së Shqipërisë janë që të rritet në një nivel 4 – 5%. Duke e pasur nën këtë nivel tregon që kemi disa problematika. Problem kryesor që ne kemi janë mungesa e burimeve njerëzore, emigracioni në nivele të larta dhe emigrimi i punonjësve të kualifikuar. Problem i dytë lidhet me industrializimin ose modernizimin e ekonomisë shqiptare. Kemi pak teknologji të aplikuar si në sektorët e industrisë, bujqësisë e kështu me radhë”– shprehet Teuta Nunaj.
Dy sektorët që po mbajnë peshën e rritjes janë ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme. Ekonomia po tregon mungesë diversifikimi, ndërsa për ekspertët kështu nuk gjenerohen të ardhura të qëndrueshme
“Nga viti 202 shikojmë që edhe 23% e investimeve të huaja direkt janë të bëra në sektorin e pasurive të paluajtshme nga të huajt në bregdet dhe në tiranë. Këto janë investime të ngurtësuara dhe nuk gjenerojnë ekonomi, prandaj dhe rritja ekonomike është në ritmet më të ulëta”- tha Nunaj.
Ndërkohë një nga sektorët me peshën më të madhe në ekonomi siç është bujqësia pati rritje negative në tremujorin e dytë. Kjo sipas ekspertëve, duhet të shërbejë si kambanë për investime dhe jo vetëm subvencione.
“E para lidhet me burimet njerëzore dhe e dyta me investimet në automatizimin e saj. Ne ende punojmë ën bujqësi me punë krahu, ndërkohë që futja e teknologjive dhe teknikave të reja janë më të ngadalësuara. Kjo vjen edhe për faktin se fermat në Shqipëri janë të organizuara në ferma të vogla”- u shpreh ndër të tjera Nunaj.
Edhe pse gjatë këtij vitit pritet një rritje mesatare prej 3.5%, projeksionet janë që në vitet e ardhshme të jetë mbi nivelin 4%, ndikuar në masë të madhe edhe nga frontet e reja si turizmi dhe teknologjia.
Top Channel