Home Gjeo-Ekonomia Shefi i Ryanair: “Sot merr fund epoka e tarifave të larta të...

Shefi i Ryanair: “Sot merr fund epoka e tarifave të larta të Wizz Airit dhe të tjerëve në Shqipëri”

Ryanair, linja ajrore më e madhe në Evropë me 183.5 milionë klientëraportoi se ka marrë prenotime rekord paraprakisht në 17 linjat e reja për në/nga Tirana, të cilat fillojnë javën e ardhshme në 31 tetor. Linjat e reja të Ryanair do të lidhin vendin me tregjet kryesore të vizitorëve në hyrje, duke përfshirë Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kompania irlandeze beson se rritja e konsiderueshme e trafikut dhe turizmit do të stimulohet falë tarifave të pakrahasueshme ajrore të Ryanair, që më në fund ofrojnë konkurrencë për linjat ajrore me tarifa të larta, të cilat aktualisht dominojnë në Shqipëri. Sipas kompanisë, rrugët e reja do të nxisin trafikun gjatë gjithë vitit dhe rritjen e turizmit, si dhe do të mbështesin qindra vende të reja pune në aeroport duke u ofruar qytetarëve shqiptarë dhe vizitorëve tarifa më të ulëta dhe më shumë zgjedhje gjatë gjithë vitit.Me tarifat e avionit që fillojnë nga vetëm 15 euro për një drejtim, 17 linjat e reja të Ryanair për në Tiranë këtë dimër përfshijnë shërbime me frekuencë të lartë, duke përfshirë rotacione të dyfishta ditore për në Londër dhe Milano, me shërbime ditore për në Bolonja, Bruksel, Katania, Piza, Romë dhe Venecia.

Ryanair parashikon të mirëpresë mijëra vizitorë për herë të parë në Shqipëri këtë dimër. Kompania tha se po punon me Qeverinë Shqiptare dhe grupin Kastrati për të eksploruar linja të reja drejt/nga Tirana, si dhe hapjen e linjave të reja drejt aeroporteve të tjera shqiptare gjatë 3 viteve të ardhshme.

Goditje Wizz Air-it
“Javën e ardhshme të martën më 31 tetor, revolucioni i tarifave të ulëta të Ryanair vjen në Shqipëri. Do të nisim 17 linja të reja për në/nga Tirana, dhe tashmë më shumë se 70% e këtyre vendeve janë shitur për muajin e parë të funksionimit. Shkalla e operimit dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 linja dhe mbi 200 frekuenca javore tregon kërkesën e jashtëzakonshme që ka për udhëtime me tarifa vërtet të ulëta për në Shqipëri dhe për qytetarët shqiptarë. Si linja ajrore nr.1 e Evropës, Ryanair beson se mund të sjellë rritje dramatike dhe të qëndrueshme të trafikut dhe turizmit, jo vetëm këtë dimër, por edhe për shumë vite në Shqipëri,” deklaroi Michael O’Leary, drejtori i përgjithshëm i kompanisë.

“Për një kohë të gjatë, rritja e rrugëve të reja dhe trafikut në Shqipëri është penguar nga linjat ajrore ekzistuese me tarifa të larta si Lufthansa, Air France, BA dhe ëizz. Nga e marta e ardhshme 31 tetor, kjo epokë e tarifave të larta përfundon. Tarifat e ulëta të Ryanair po vijnë në Tiranë. Mijëra vizitorë po vijnë në Tiranë dhe ne mezi presim të sjellim mijëra qytetarë shqiptarë në/nga Evropa për të vizituar miqtë dhe të afërmit e tyre,” deklaroi ai

Ryanair është e vetmja linjë ajrore kryesore në Evropë që ka rikuperuar në 130% të trafikut të saj para Covid. Këtë dimër kompania deklaroi se shpreson të marrë 57 avionë të rinj nga Boeing si pjesë e planit të rritjes dhe rimëkëmbjes pas Covid.

“Jemi krenarë që hapim 17 linja të reja drejt/nga Tirana javën e ardhshme dhe jemi të emocionuar me fuqinë e rezervimeve të para, dhe kërkesën që ekziston në Shqipëri dhe në mbarë Evropën për fluturimet me tarifa të ulëta të Ryanair për/nga Tirana. Ryanair planifikon të rrisë flotën e saj në 800 avionë dhe trafikun e saj në 300 milion pasagjerë p.a. gjatë dekadës së ardhshme dhe ne besojmë se Shqipëria do të jetë një treg kyç në rritje për tarifat e ulëta të Ryanair,” përfundoi O’Leary.

Fluturimet javore te Ryanair nga Tirana
Londer  28
Milano  28
Rome  18
Bolonja  14
Bruksel  14
Katania  14
Piza  14
Venecia  14
Paris  10
Bukuresht   6
Krakov   6
Mancester   6
Varshave   6
Dyseldorf   4
Edinburg   4
Prage   4
Stokolm   4

Kapitali.al

Share: