Përmes platformës X, Albin Kurti dha sot detaje mbi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, dhe planin që sipas kryeministrit të Kosovës, fshihej pas tij.
Policia, tha Kurti, e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një përpjekjeje për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Kjo, sipas tij, do të pasohej nga krijimi i një korridori për në Serbi, i cili do ta mundësonte furnizimin me armë dhe trupa.
“Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, u shpreh Kurti.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ndërkohë deklaroi se Policia e Kosovës e ka mandatin të hetojë sulmin e Banjskës ndërsa Serbia ka detyrimin të bashkëpunojë, pa kushte. Ai i ka bërë këto deklarata pasi u pyet për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.
Stano përsëriti se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur, dhe në bazë të tyre të marrin vendime vendet anëtare, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme ndaj Serbisë.
I pyetur veçanërisht mbi përgjegjësisë që e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiç për sulmin, dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë vetëm se blloku evropian pret bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre.
“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiç. Të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona”, tha Stano.
Top Channel