Kina së bashku me të gjithë vendet pjesëmarrëse të megaprojektit Një Brez, Një Rrugë kremtuan me solemnitet 10-vjetorin e fillimit të zbatimit të Iniciativës Një Brez, Një Rrugë në Pekin më 18 tetor 2023. Duke përshëndetur përfaqësuesit më të lartë shtetëror dhe qeveritar të më më shumë se 150 vendeve dhe të 30 organizatave ndërkombëtare në Forumin e tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Një brez, Një Rrugë (BRI) me temë “Ndërtimi i një bote me hapje, përfshirje, ndërlidhje dhe zhvillim të përbashkët”, Presidenti Xi Jinping shpalli se Kina, iniciatorja e këtij projekti bashkëpunimi ndërkombëtar më i madhi në historinë botërore i lançuar prej tij në vitin 2013, do të ndërmarrë tetë hapa të mëdhenj për të mbështetur ndjekjen e përbashkët me cilësi të lartë të bashkëpunimit me vendet pjesëmarrëse të BRI në dekadën e dytë të rrugëtimit të tij.
Presidenti Xi Jinping në Forumin e tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Një brez, Një Rrugë (BRI) /Xinhua
Në qoftë se ka iniciativë që ka lënë gjurmët e saj në të gjitha kontinentet e botës nga Azia në Afrikë, nga Europa në Amerikë Latine me projekte nga më të ndryshmet, që kanë zhvillimin global, ndryshimin e jetës së të gjithë popujve, por veçanërisht të atyre në zhvillim, në qendër të saj, ajo është Një Brez, Një Rrugë, që përfaqëson dhe po vë në jetë synimin e përbashkët të njerëzimit për zhvillim për të gjithë, duke hapur me sukses një rrugë të re të pashkelur më parë për shkëmbimet midis vendeve dhe duke krijuar një kuadër të ri për bashkëpunimin ndërkombëtar.
Flitet shumë për domosdoshmërinë e krijimit të një rendi të ri botëror, e në mënyrë të veçantë pas luftës së Ukrainës, që ka hyrë në muajin e saj të 19-të, pranohet unanimisht që bota nuk do të jetë më si më parë. E në fakt zhvillim të një realiteti të tillë e shikon kushdo në ecuri e sipër në shembullin e Një Brez, Një Rrugë, të megaprojektit të parë që hapi një epokë të re në zhvillimin e bashkëpunimit global të njerëzimit sepse objektivat e tij janë të përmirësojë gërshetimin e politikave, infrastrukturës, tregtisë, financave dhe njerëzve me njerëzit, të injektojë një shtysë të re në ekonominë globale në krizë shumëdimensionalëshe prej shumë kohësh.
Forumi i tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Një brez, Një Rrugë (BRI) /Xinhua
Ajo që është arritur në 10 vitet e fundit tregon se bashkëpunimi Një Brez, Një Rrugë është në anën e duhur të historisë dhe përfaqëson përparimin e kohës sonë dhe është rruga e duhur përpara, deklaroi Presidenti Xi Jinping në fjalimin e tij programatik, i cili elaboroi arritjet dhe përvojën e përfituar gjatë kësaj dekade dhe parashtroi perspektivat për të ardhmen. Sipas tij, këto arritje gjatë dhjetë vjetëve të kaluar janë mjaft të çmuara. “Kemi kuptuar thellësisht që njerëzimi është një komunitet me fate të përbashkëta. Kina është mirë vetëm kur bota është mirë dhe bota është mirë vetëm kur Kina është mirë. Me bashkëndërtimin e Një Brez, Një Rrugë Kina do ta hapë gjithnjë e më shumë derën e saj dhe tregu kinez do të ketë lidhje më të ngushtë me tregun botëror”, theksoi presidenti. Kina është bërë partneri kryesor tregtar i më shumë se 140 vendeve dhe rajoneve dhe burimi kryesor i investimeve për shumë vende, çka ka sjellë rritjen e miqësisë, bashkëpunimit, besimit dhe shpresës.
Sot si fuqia e dytë më e madhe në botë autoriteti i Kinës në arenën ndërkombëtare ka arritur në një pikë kur përballë sfidave globale dhe rreziqeve të shtrirjes së luftërave lokale e rajonale njerëzimi i ka drejtuar sytë nga Kina dhe në të njëjtën kohë fuqitë më të mëdha perëndimore kërkojnë në nivele më të larta ndikimin e Pekinit për të ndihmuar në shuarjen e disa konflikteve një ndryshim qëndrimi prej 180 gradësh, kur disa prej tyre jo vetëm e injoronin, por përpiqeshin me të gjitha mënyrat të shpifnin, të trillonin duke paraqitur një tabllo të rreme të Kinës, praktikë që në fakt e vazhdojnë akoma edhe tani në forma më të sofistikuara. Sigurisht në dëm të tyre dhe pa efekt mbi pjesën dermuese të popujve, që shikojnë tek Kina një shtet e një popull vital, që veç të tjerash me Një Brez, Një Rrugë ka sjellë edhe njerëzit më afër me njëri-tjetrin me rrugët e hekurudhat dhe mjete të tjera komunikimi numri i të cilave sa vjen e shtohet me një shtrirje gjeografike në rritje.
Forumi i tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Një brez, Një Rrugë (BRI) /Xinhua
Prandaj me të drejtë Xi vuri në dukje në fjalimin e tij se fryma e Rrugës së Mëndafshit është ajo e paqes dhe bashkëpunimit, hapjes dhe gjithëpërfshirjes, mësimit dhe përfitimit të ndërsjellë, është burimi më i rëndësishëm i forcës për bashkëpunimin në kuadër të BRI.
“Dikur kam thënë se pionierët e rrugëve të lashta të mëndafshit fituan vendin e tyre në histori jo si pushtues me anije luftarake, armë, kuaj apo shpata. Përkundrazi, ata mbahen mend si emisarë miqësorë që drejtonin karvanët e deveve dhe anijet me vela të ngarkuara me mallra”, tha Xi. “Konfrontimi ideologjik, rivaliteti gjeopolitik dhe politika e bllokut nuk janë një zgjedhje për ne. Ajo për të cilën jemi kundër janë sanksionet e njëanshme, detyrimi ekonomik dhe shkëputja dhe ndërprerja e zinxhirit të furnizimit.” Duke përshkuar tokën, oqeanet, qiellin dhe internetin, rrjeti global i lidhjes i ndërtuar në kuadër të BRI ka injektuar vitalitet të freskët në Rrugën e Mëndafshit mijëvjeçar në epokën e re, vuri në dukje Xi.
Kur COVID-19 goditi njerëzimin Një Brez, Një Rrugë u bë një rrugë shpëtimtare dhe sipas presidentit, Kina siguroi më shumë se 10 miliardë maska dhe 2.3 miliardë doza vaksinash për vendet e tjera dhe prodhoi së bashku vaksina me mbi 20 vende, duke dhënë një kontribut të veçantë në përpjekjet e partnerëve të BRI në luftën kundër COVID-19. Kina gjithashtu mori mbështetje të vlefshme nga më shumë se 70 vende kur u godit rëndë nga pandemia, tha ai.
Një ndër objektivat kryesorë të Kinës është që në dekadën e tij të dytë BRI të ngrihet në një fazë të re të zhvillimit me cilësi të lartë dhe të zhvillohet modernizimi global për të rritur zhvillimin paqësor dhe bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë.
Në këtë kuadër Presidenti Xi vuri në dukje se Kina po përpiqet të bëhet një vend më i fortë dhe të përtërijë kombin kinez në të gjitha frontet duke ndjekur modernizimin e vendit. “Modernizimi që ne po ndjekim nuk është vetëm për Kinën, por për të gjitha vendet në zhvillim përmes përpjekjeve tona të përbashkëta”, shtoi ai.
Sikurse e përmendëm edhe më sipër presidenti Xi shpalli se Kina do të ndërmarrë tetë hapa të mëdhenj për të mbështetur bashkëpunimin me cilësi të lartë të Një Brez, Një Rrugë. Dhe konkretisht ata janë si më poshtë: ndërtimi i një rrjeti shumëdimensional të lidhjes së BRI, mbështetje të një ekonomie të hapur botërore, zbatim i bashkëpunimit praktik për të mbështetur ndërtimin e Një Brez, Një Rrugë me cilësi të lartë, promovim i zhvillimit të gjelbër, përparim i inovacionit shkencor dhe teknologjik, mbështetje për shkëmbimet mes njerëzve, promovim i bashkëpunimit të bazuar në integritetin e Një Brez, Një Rrugë, dhe forcimim i ndërtimit institucional për bashkëpunimin ndërkombëtar të Një Brez, Një Rrugë.
Pak ditë para mbajtjes së Forumit në nivelin më të lartë Zyra e Informimit të Këshillit të Shtetit të Kinës botoi Librin e Bardhë “Një Brez, Një Rrugë. Një shtyllë kryesore e Komunitetit Global të së Ardhmes së Përbashkët”, i cili është një narrativë sa interesante dhe e dobishme mbi këtë Iniciative historike, që duket si udhëtim në kohë nga 2000 vjet më pare, kur daton nisja e Rrugës së Mëndafshit, e cila hodhi trasenë e kësaj vepre monumentale që ka lidhur pothuajse të gjithë rruzullin tokësor në vitin 2023.
Libri i Bardhë “Një Brez, Një Rrugë. Një shtyllë kryesore e Komunitetit Global të së Ardhmes së Përbashkët”/CFP
Gjatë dekadës së fundit, bashkëpunimi i BRI-së ka sjellë përfitime reale për vendet pjesëmarrëse, thuhet në Librin e Bardhë, i cili faqe pas faqeje paraqet arritjet e këtij projekti gjatë 10 viteve të fundit, duke i dhënë komunitetit ndërkombëtar një kuptim më të mirë të vlerës së nismës, për të lehtësuar bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të tij dhe përfundimisht për të ofruar përfitime për më shumë vende dhe popuj. “BRI ka kontribuar në zhvillimin e shëndoshë të globalizimit ekonomik dhe ka ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të zhvillimit global dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale”, thuhet në këtë dokument, ku theksohet se vizioni i projektit ka hapur një rrugë të re për të gjithë njerëzimin për të realizuar modernizimin dhe ka siguruar që përpjekjet për ndërtimin e një komuniteti global të së ardhmes së përbashkët po japin rezultate reale.
Sipas Librit të Bardhë Kina propozoi BRI-në në përgjigje të një situate globale në ndryshim dhe pritshmërive të komunitetit ndërkombëtar, dhe duke pasur parasysh të ardhmen dhe interesat e përgjithshme të njerëzimit. Duke përfituar nga urtësitë dhe vitaliteti i linjave të komunikimit të lashta të mëndafshit dhe shpirti i Rrugës së Mëndafshit, BRI synon zhvillimin jo vetëm për Kinën e për botën, por ka si objektiv krijimin e një bote më të mirë, thuhet në Libër.
Projekti i restaurimit të hidrocentrali në Nepali i ndërtuar nga kompania kineze/CFP
Gjatë punimeve të Forumit e morën fjalën shumë pjesëmarrës dhe në diskutimet e tyre bënë vlerësimet lidhur me këtë projekt dhe tregonin për përvojën e tyre nga ky bashkëpunim rezultatet e të cilit janë të dukshme, duke u shërbyer ekonomive dhe popujve të tyre në rrugën e zhvillimit e mirëqenies. Binte në sy besimi i tyre që dekada e dytë do të sjellë kontribute të reja për vendet e tyre dhe mbarë botën dhe vlerësimi i tyre për përkushtimin e palëkundur të Kinës në zbatimin e këtij megaprojekt sa më me efikasitet.
Por do të veçoja në këtë shkrim disa mendime të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes së Forumit tha se nuk mund të ketë zhvillim pa mbështetje zhvillimore dhe shumë vende në zhvillim do të jenë të uritur nga infrastruktura për të cilën kanë nevojë dëshpërimisht.
“Kjo është arsyeja pse ky takim dhe Iniciativa Një Brez, Një Rrugë janë kaq të rëndësishme”, tha kreu i kësaj organizate panbotërore me të cilën Kina ka një bashkëpunim të gjerë, duke u bërë ndër kontribuueset më të mëdha të saj në funksionimin efektiv si parlamenti i botës.
“Nisma Një Brez, Një Rrugë tregon se ne kemi mundësi historike për të ndërtuar më shumë sesa qytete të gjelbra, komunitete dhe sisteme transporti dhe energjie… Së bashku me kontributin e Iniciativës Një Brez, Një Rrugë ne mund ta kthejmë urgjencën për infrastrukturë në mundësi të infrastrukturës”, tha Guterres.
E gjithë përvoja e BRI, rezultatet e zbatimit të tij dhe mbi të gjitha interesi në rritje për t’iu bashkuar kësaj iniciative mbarëbotërore ka hapur një rrugë të re drejt begatisë së përbashkët, duke avancuar një paradigmë të re të orientuar drejt zhvillimit të ndryshëm nga modernizimi perëndimor. BRI ka dëshmuar se ky projekt nuk është as Plani Marshall pas Luftës së Dytë Botërore dhe as një ‘komplot kinez’ për hegjemonizëm sikurse trillojnë në forma të ndryshme megafonet e propagandës perëndimore por është një qasje e hapur, pozitive për të modernizuar jo vetëm Kinën, por njerëzimin në tërësi.
Hidrocentrali në Kamboxhi i ndërtuar nga kompania kineze/CFP
Më mirë se faktet nuk flet asgjë dhe konkretisht gjatë dekadës së fundit, BRI ka përmirësuar ndjeshëm lidhjen dhe tregtinë globale me më shumë se 3,000 projekte të nisura përmes bashkëpunimit midis partnerëve kinezë dhe të huaj, duke përfshirë afro 1 trilion dollarë investime. Ajo ka krijuar të paktën 420,000 vende pune për vendet e ndryshme pjesëmarrëse. Një ndër arritjet më të mëdha të BRI-së gjatë dekadës së fundit bazohet në parimet e tij thelbësore të konsultimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta që promovojnë multilateralizmin e vërtetë si dhe qeverisjen e barabartë dhe të drejtë globale.
Forumi i tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Një brez, Një Rrugë me temë “Ndërtimi i një bote me hapje, përfshirje, ndërlidhje dhe zhvillim të përbashkët” i ka përfunduar punimet, por e ka hapur nisjen e dekadës së dytë që Presidenti Xi Jinping e quajti ‘dekada e artë’ si alternativa superiore e pakonkurrueshme të paktën gjatë dekadës së kaluar nga asnjë iniciativë perëndimore sepse asnjë pej tyre nuk ka arritur të ndërtojë një infrastrukturë kaq të madhe transporti në një periudhë kaq të shkurtër kohore në vendet pjesëmarrëse të Iniciativës, që është një triumf i pashoq!/Shkrimi dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN