Home Gjeo-Ekonomia U ktheva në Gjirokastër dhe të gjej fjalët… është si me emocionet...

U ktheva në Gjirokastër dhe të gjej fjalët… është si me emocionet dhe trazimin e muzikës së Mozartit e Bethovenit

Nga Çapajev Gjokutaj

Këtë fundjavë shkuam në Gjirokastër, më saktë në fshatrat rreth saj dhe t’ju them se u kënaqëm është si të përpiqesh të tregosh me fjalë emicionin dhe trazimin që ndjen kur dëgjon Mozartin a Bethovenin.

Në Labovën e Kryqit bujtina Maria bënte bashkë nostalgjinë e traditës me komfortin bashkëkohor. Na thanë se e zonja e shtëpisë kishte pak javë që kishte ndërruar jetë, po prania e saj – shtonte e bija gjithë mall – ndihej kudo, në koceptimet e mëdha e në detaje që kishin të bënin me lulet a me perdet. E ikur po prap e pranishme, si tradita në këtë ngrehinë të re e aq tërheqëse për vizitorët, mendova.

Në fushën e Çajupit përziheshin këndshëm lirizmi i luleve të vona, me melodinë e largët të zileve e të këmborëve si dhe me ashpërsinë e shkëmbenjve, që vareshin nga ana e pasme e majës së famshme, krejt në kontrast me lëmimin dhe harmoninë që sheh kur e kundron nga lugina e Drinos. Mes këtyre përzierjeve të kujtohej lirizmi i Andon Çakos përzier me satirën goditëse dhe nervin e polemikës.

Në Libohovë, duke parë muret e kalasë përtej kurorës së rrapit të famshëm, m’u përhinë buzëmbrëmje të dikurshme, kur një djalë i ri bërtiste nga muret: ‘Ehehe dëgjoni, ka ardhur Suati, filmi fillin në orën x. Film me luftë’.

Pastaj s’di pse m’u kujtuan disa ditë të çuditshme të fillimviteve ‘60, kur në Libohovë s’kishte radio (televizorë jo se jo) dhe një herë në disa muaj vinin sazexhinjtë e gjithë fshati hidhej valle dhe kremtonte një a dy ditë të tëra.

S’di pse duke kujtuar këto pamje thuajse anekdotike, në një cep të arsyes shfaqeshin dhe dixhitalbi e netfliksi, bollëku i argëtimeve të sotme dhe vrisja mëndjen: ç’i bënte aq tërheqse e gati të magjishme shfaqjet e rralla të asaj kohe?

Në Sotirë kujtova Thethin, mbase ngaqë përjetoja të njëjtën ndjesi: ti e sheh veten thellë mes maleve, por praninë e qiellit e ndjen shumë më fuqishëm sesa kur je në një fushë të pamatë.

Kam kaluar fëmininë dhe rininë e parë në Gjirokastër dhe në rrethinat e saj ndaj, kur u nisa nga Tirana, mendoja se do çmallesha me to. Gjithandej gjeta shumë ndryshime: ose gjëra të ndërtuara e të krijuara rishëm, ose – dhe kjo tingëllon sa komike aq edhe e dhimbshme – gjëra që kujtesa i kishte ruajtur ndryshe.

Mes zhgënjimit që më ngjallnin këto mospërputhje, m’u kujtua i dituri që thoshte: kur synon të kthehesh në vise ku ke jetuar dikur, nuk je duke udhëtuar në hapsirë po në kohë; udhëtime të tilla janë mbi të gjitha kthime tek vetja e dikurshme.

Tek thesaret apo te rrënojat e vetes?, do pyeste ciniku. Ku ka rrënoja fshihen edhe thesare, do t’i përgjigjej Rumiu🧐😍

( Nga cikli ‘Zikzaket e vetes’ )

Share: