Udhëheqësit evropianë i kërkuan të premten Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.
Thirrja u bë nëpërmjet një deklarate të përbashkët të Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni e cila u publikua të premten.
Deklarata pason takimet e veçanta me Kryeministrin e Kosovës Kurti dhe Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel, të tre udhëheqësve evropianë. Në takime morën pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak.
Në deklaratë thuhej se projektstatuti evropian mbi Asociacionin “përfshin një mënyrë moderne për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”.
“Ndaj nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Faza e zbatimit, duhet të përparojë në atë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht, hap pas hapi bazuar në parimin, që duhet të bëjnë diçka, për të marrë diçka në këmbim. Tani vëmendja duhet të përqendrohet në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej në komunikatë.
Më tej udhëheqësit evropianë i bënë thirrje Kosovës që të “nisë procedurën për themelimin e Asociacionit, ashtu siç është parashikuar në projektstatut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto (të Kosovës). Në deklaratë u kujtohej palëve se në mungesë të progresit për normalizimin e marrëdhënieve, të dyja, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.
Takimet në Bruksel u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha dje përmes një komunikate se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin perëndimor për Asociacionin, duke akuzuar Presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.
Ky i fundit u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme për zbatimin e Asociacionit “në përputhje me propozimin e marrë më 21 tetor”, por theksoi se gjatë bisedimeve më 26 tetor me udhëheqësit evropianë” kishte bërë të qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, apo pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës”.
Në marrëveshjen e Ohrit, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars, kërkohet që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. /VOA