Home KRYESORE Vota e Diasporës/ BIRN: Peng e vullnetit politik të partive kryesore, ndërsa...

Vota e Diasporës/ BIRN: Peng e vullnetit politik të partive kryesore, ndërsa shoqëria civile dhe KQZ kërkojnë zgjidhje

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për garantimin e votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk ka gjendur ende reflektim në Kodin Zgjedhor, duke mbetur peng e vullnetit politik të partive kryesore, ndërsa shoqëria civile dhe KQZ kërkojnë zgjidhje.

Përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, diskutuan të martën për garantimin e të drejtës së votës për diasporën shqiptare, në një tryezë të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP).

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që konstatoi cënimin e kësaj të drejte në zgjedhjet e fundit dhe i kërkoi Kuvendit që ta adresonte ligjërisht vijon të mbetet peng i ngërçit politik, pa një zgjidhje konkrete për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025-ës.

Për Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vota e diasporës mbetet peng e boshllëqeve ligjore.

“Nëse nuk do të plotësohet boshllëku ligjor i konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë”, tha ai.

Sipas Celibashit, duhet vetëm vullnet politik për ta bërë këtë gjë, por edhe të bëhet në kohë.

“Nëse bëhet më vonë, për shembull 6 muaj para zgjedhjeve, KQZ nuk ka kohë që ta implementojë”, shtoi Celibashi.

KQZ nuk mund të ndërmarrë hapa për anën rregullatore të procesit pa u shprehur Kuvendi për vendimin e GJK-së, këmbënguli kreu i këtij institucioni.

I pyetur nga drejtori i ISP-së, Afrim Krasniqi, se a mund të ndërmerrte KQZ një hap publik për të nxitur Kuvendin që të zbatojë vendimin e Kushtetueses, Celibashi u përgjigj se “vendimi është i qartë dhe duhet zbatuar në një afat kohor, që është janar 2024”.

Deputetët e Kuvendit të pranishëm nga gjithë spektri politik shprehën mbështetjen për garantimin e kësaj të drejte, por pranuan se vendimmarrja për reformën zgjedhore ishte politike dhe duhej një konsensus në Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvend.

Ky komision nuk po funksionon prej më shumë se një viti dhe nuk siguron një konsensus të gjërë politik pas përçarjes së grupit parlamentar të PD-së dhe debatit mes dy grupimeve për përfaqësimin në përbërjen e tij.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cilësoi të rëndësishme dhënien e të drejtës së votës për emigrantët dhe tha se kjo duhet të ishte beteja e opozitës. “Nuk i falet opozitës që nuk e ka çuar përpara këtë gjë, pasi mazhorancës mund të mos i interesojë vota e tyre, pasi nëse këta shqiptarë kanë ikur ata kanë ikur dhe për shkak të keqqeverisjes”- tha ajo.

Sipas Tabakut, në çdo palë zgjedhje vërehet ulja në mënyrë drastike e përqindjes së pjesëmarrjes në votime që i atribuohet pamundësisë për të votuar të shqiptarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.

Ndërsa deputeti i PS-së, Lavdërim Krrashi, një ish-emigrant, tha se ai personalisht do të luftonte që kjo e drejtë të bëhej realitet, pasi ishte një e drejtë që duhej ta kishte çdo shqiptar.  “Për mua kjo është edhe një çështje personale”, tha ai.

Për deputetin e opozitës, Oerd Bylykbashi, koha e diskutimeve dhe e nxitjes së institucioneve për të vendosur për këtë çështje ka mbaruar. “Tani është koha të veprojmë sa më shpejt”, tha ai, duke e cilësuar detyrë të Kuvendit që të bëjë reformën zgjedhore.

Sfidat teknike të realizimit të votimit u prekën më pak në diskutime.

Sipas drejtorit të ISP-së, Krasniqi, qëllimi i tryezës ishte të debatohej në nivel politik të vendimmarrjes dhe angazhimit.

E drejta e votës për diasporën garantohet si detyrim në disa dokumente strategjike të miratuara nga qeveria dhe Kuvendi, dhe është pjesë e dokumenteve kryesore të Bashkimit Europian për Shqipërinë, tha ai, duke ngritur pikpyetje mbi përgjegjësinë politike për realizimin e reformës zgjedhore.

360grade.al

Share: