Parlamenti Europian diskutoi lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, ku disa deputetë bënë thirrje për sanksionimin e Serbisë.
Më konkretisht, u kërkua nga Bashkimi Europian që të ngrijë fondet për Serbinë. Deputeti kroat, Tonino Picula, duke folur në emër të grupit socialist, kërko masa ndaj Beogradit pas sulmit të 24 shtatorit, të cilin e quajti agresion terrorist.
“Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve”, u shpreh ai. Eurokomisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç, nënvizoi rëndësinë që autorët e sulmit të armatosur në Banjskë të vihen para drejtësisë dhe kërkoi nga Serbia bashkëpunim të plotë në hetime.
“Ky është një alarm i fortë se gjendja në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë”, tha ai. Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, vuri në dukje se lidhjet e Milan Radoiçiç që organizoi sulmin me zyrtarët në Beograd, janë shumë të qarta. Ndërsa eurodeputeti Andrea Schieder, akuzoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se përmes qëndrimeve dhe deklaratave po i shton më shumë benzinë zjarrit.
“Politikanët duhet të kuptojnë se do të ketë pasoja, dhe ato do të jenë ngrirja e ndihmës financiare”, theksoi ai. Parlamenti Europian pritet që të miratojë një rezolutë për sulmin në Banjskë në sesionin e dytë plenar të këtij muaji që mbahet nga 16 deri më 19 tetor.
360grade.al