Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp këtë të premte, foli për “21 Janarin”, duke cituar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që evidentoi dy shkelje në këtë çështje: vrasjen dhe moszbardhjen e vrasjes.
Sipas kryeministrit, Gjykata e Strasburgut ka nxjerrë një vendim shumë domethënës dhe të qartë lidhur me një krim shtetëror, “që prej më shumë se një dekade është mbuluar nga pluhuri“.
Në konferencën për mediat dedikuar kësaj çështjeje, Rama theksoi se krime shtetërore si “21 Janari”, vonojnë shumë, por nuk mbeten pa u zbardhur, duke akuzuar Prokurorinë e Tiranës për zvarritje dhe neglizhencë në hetim.
“Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin, edhe me dhimbjen e familjarëve të viktimave, por edhe të gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën. E ka trajtuar si leckë një provë të re të dalë para disa muajsh. Është koha që drejtësia e re të reagojë, pasi që kur ky krim ka marrë rrugët e prokurorive e gjykatave, ka ndryshuar struktura e drejtësisë dhe personaliteteve.
Urdhri ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, Gjykata vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive kanë penguar në mënyrën më brutale zbardhjen e këtij krimi”.
Kryeministri u ndal te drejtësia e re, e cila sipas tij, nuk mund të ketë një bazë të fortë, nëse vrasja e katër protestuesve në shesh vazhdon të mbetet pa zbardhur dhe pa autor.
“Unë e kam bindje të palëkundur që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 Janarit, por mund të vazhdojë të vonohet. Për këtë arsye jam këtu, duke i shprehur këto konsiderata, sepse është e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë, që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos qëndrojë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e moskëputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund të drejtësisë për 21 Janarin“.
Përballë krimit shtetëror të 21 Janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të vendosur themelin e ri të drejtësisë, që sapo ka nisur të ndërtohet. Nëse 21 Janari mbetet në ajër, edhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, ku askush nuk është mbi ligjin, askush nuk mund të marrë jetë.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut
Duke përmendur një seri shkeljesh që shteti, Garda e Republikës, por edhe organet e drejtësisë reflektuan për hetimin e 21 Janarit 2011, Gjykata e Strasburgut i tërheq vëmendjen autoriteteve për mos zbardhjen e vrasjes së Aleks Nikës.
Në vendimin e saj, Gjykata e të Drejtave të Njeriut që u vu në lëvizje nga familja Nika konsideron fajtor shtetin për vrasjen e demonstruesit, i cili humbi jetën në Turqi.
Ndërkohë që tre të tjerët Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizaj u vranë në bulevard në të njëjtën protestë. Gjykata vlerëson se shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcë vdekjeprurëse. Jo vetëm kaq, por Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) prek për herë të parë edhe përgjegjësitë e akteve të dhunës dhe shkeljen e çdo të drejte, për të cilën duhet të ketë përgjegjës.
Në fakt, për 21 Janarin, gjyqësori vendas ka shpallur fajtor vetëm ish-shefin e Gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupon, njëri i dënuar me 1 vite burg e tjetri me 3 vite. Strasburgu këmbëngul se ekziston nevoja për hetime të paanshme, të besueshme dhe të plota, ndërkohë që në 2019-ën, e njëjta gjykatë u shpreh edhe për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizajt të shpallur dëshmorë, për të cilët shteti shqiptar premtoi rihapje të hetimit. Tani që Strasburgu flet sërish, për vrasjen që vijon të jetë pa autor, avokati Matlija që ka përfaqësuar të afërmit e tre dëshmorëve shpjegon çdo të thotë ky vendim.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?
E gjitha nisi pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.
Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.
Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Top Channel