Imzot Angelo Massafra priti sot në një vizitë kortezie në ambientet e Archipeshkovës, Myftiun e Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
Takimi vjen nga atmosfera e përkujtimit të 33-vjetorit të ceremonive të para fetare, që i paraprinë rënies së sistemit komunist në Shqipëri, por edhe e diskutimeve për çështje aktuale problematike në vendin tonë.
“Muslimanët dhe të Krishterët shkojnë dorë për dore në shërbim të harmonisë kombëtare”, bën thirrje Myftiu Imam Sytari.
Myftiu Sytari theksoi se datat e ceremonive historike të meshës dhe të xhumasë së parë, duhet të shpallen festa zyrtare, si data përkujtimore që i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të harmonisë kombëtare dhe ruajtjes së identitetit fetar e kombëtar.
Arqipeshkvi Massafra falënderoi Myftiun e Shkodrës për këtë vizitë dhe u lut për bashkëpunim të mëtejshëm në projekte dhe nisma të përbashkëta, që i shërbejnë komunitetit.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për çështje me interes të përbashkët, si dhe u këmbyen lutje për mbarësi dhe bekime.