Home Gjeo-Ekonomia Dalja e Shqipërisë nga Lista Gri shton investimet e huaja

Dalja e Shqipërisë nga Lista Gri shton investimet e huaja

Dalja e Shqipërisë nga Lista Gri e pastrimit të parave sjell ndikime pozitive sa i përket edhe investimeve të huaja dhe sipas ekspertëve veçanërisht do të sjellë zhvillim dhe qëndrueshmëri në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Sipas kreut të Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria ky vendim u jep më shumë garanci të huajve për të investuar në Shqipëri.

“Një lajm inkuarajues për shkak se jep një mesazh shumë të qartë ndërkombëtarisht që Shqipëria është një treg që ti mund të investosh pa qenë i tunduar apo i shantazhuar për tu përfshirë në skema të pastrimit të parave. Kjo i garanton investitorët e huaj që të mund të vijnë të investojnë qetësisht në vendin tonë. Pritshmëritë tona janë që gjatë 2024, 2025 edhe në vijim do të kemi më shumë blerës dhe investitorë të huaj dhe flukse legjitime të investimeve nga pasuritë e paluajtshme dhe kjo do të shëndoshi tregun.”

Zona e bregdetit mbetet më e preferuara nga të huajt, pasi ofron çmime më konkurruese se ato të vendeve fqinje apo të Rajonit shprehet eksperti.

“25% e tregut me pasuritë e paluajtshme është nga blerësit e huaj të paktën sipas statistikave të 2022 dhe 2023. Shumica e të huajve investojnë në pjesën e bregdetit përshkak se gjejnë prona që janë në Shqipëri me një kosto optimale në krahasim me vendet fqinje si Mali i Zi, Kroacia, apo edhe Greqia dhe për shkak të vendndodhjes. Kryesisht tregjet që ne kemi pasur kanë investuar në pjesën e bregdetit duke filluar nga Velipoja, Shëngjini e deri në Sarandë.”  

Edhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë luan një rol të rëndësishëm në interesin e investitorëve të huaj sipas Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme.

“Nëse një austriak do që të blejë një vilë pushimi në vendet e rajonit ku është Shqipëria mund t’i kushtojë mesatarish 800- 1 milion Euro. Sot një vilë mund ta gjesh edhe 300 apo 400 mijë Euro në bregdetin e Shqipërisë. Dhe kur bën këto krahasime sidomos duke krahasuar edhe me tregun perëndimor patjetër që i duket shumë e leverdisshme duke ditur se është në Shqipëri, lëviz lirisht në Mal të Zi dhe Kroaci por udhëton lehtësisht edhe në jug në Greqi, Korfuz edhe në pjesën tjetër dhe përballë me një transport cilësor mund të jetë edhe në Itali.”

Shqipëria kishte hyrë në Listën Gri të pastrimit të parave në vitin 2020, por më 28 Tetor 2023 Task-Forca për Veprimin Financiar (FATF) zyrtarizoi vendimin për nxjerrjen e Shqipërisë nga kjo listë./Klan News

Share: