Banka e Shqipërisë nxitoi të zbatojë porosinë e Fondit Monetar për të rritur normën bazë të interesit. Vetëm katër ditë pasi misioni i FMN rekomandoi shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit për lekun duke e çuar në nivelin 3.25 për qind.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm,” deklaroi guvernatori Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit.
Rritja e normës bazë të interesit erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Në fillim të këtij muaji Banka e Shqipërisë deklaroi se qëndrimi aktual i politikës monetare dhe skenari bazë i projeksioneve sugjeronin se inflacioni do të kthehej në objektiv në mesin e vitit të ardhshëm.
Por çfarë ndryshoi që banka e përmbysi qëndrimin e saj?
Faktori FMN
Në 27 tetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi deklaratën përmbyllëse të misionit në Tiranës. Në pjesën që lidhet me kursin e politikës monetare, rekomandimet e FMN-së ishin të qarta.
“Kthimi i inflacionit në objektiv ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme në normën bazë. Një rritje graduale e normës bazë të interesit drejt një qëndrimi përgjithësisht neutral – që vlerësohet në rreth 4.5 për qind – duhet të ndihmojë në kthimin e inflacionit në objektiv deri në fillim të vitit 2025,” deklaroi misioni i Fondit.
Ende pa u larguar mirë misioni nga Shqipëria Banka e Shqipërisë e ndryshoi 180 gradë qëndrimin e saj mbi kursin e politikës monetare.
“Inflacioni pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se përmbushja e këtij parashikimi kërkon një reagim të politikës monetare, për të mundësuar reduktimin e mëtejshëm të presioneve të brendshme inflacioniste,” deklaroi Sejko pas mbledhjes së sotme të Këshillit./Kapital.Al