Home KRYESORE Konferencë mbi Edukimin Mediatik në Shqipëri

Konferencë mbi Edukimin Mediatik në Shqipëri

Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive organizuan konferencën për edukimin mediatik në Shqipëri, një temë që është diskutuar mjaft vitet  e fundit.

Konferenca bëri bashkë aktorët kryesorë institucionalë që kontribuojnë në fushën e edukimit mediatik, si Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Autoritetin e Mediave Audiovizive, Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, UNESCO-n, universitetet publike dhe private, organizatat e shoqërisë civile, por edhe ekspertë të medias, mësues, pedagogë dhe studentë.

Diskutimet kryesore gjatë konferencës u përqendruan tek agjenda e edukimit mediatik në Shqipëri, për të cilën Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, theksoi angazhimin politik dhe institucional për të vijuar me edukimin mediatik në sistemin arsimor, një nismë e mbështetur nga UNESCO që prej 2020, dhe që ka në thelb ngritjen e kapaciteteve të mësuesve për të integruar edukimin mediatik në mësimdhënie. Integrimi i edukimit mediatik në kurrikulat arsimore të arsimit parauniversitar dhe atij universitar, mbetet parakusht për përmirësimin e nivelit të edukimit mediatik nga njëra anë dhe përditësimin e programeve mësimore me zhvillimet më të fundit, nga ana tjetër.

Ndonëse aktualisht ka përpjekje për integrimin e edukimit mediatik në kurrikulat arsimore universitare dhe parauniversitare, sërish kjo mbetet në nivelin e projekteve dhe nismave afatashkurtra dhe si e tillë kërkon një strategji apo plan veprimi kombëtar për t’i shndërruar në të qëndrueshme dhe sistemike, ku procesin e udhëheqin vetë institucionet arsimore.

Një tjetër aspekt që ekspertët theksuan ishte edhe ofrimi i edukimit medatik në arsimin joformal, që targeton të gjithë publikun, i cili është edhe më i prekur nga çregullimet e informacionit, si dezinformimi, që mbetet në nivele shqetësuese dhe është në rritje, veçanërisht me (keq)përdorimin e Inteligjencës Artificiale./Vizion.com

Share: