Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në Këshillin e Atlantikut për të diskutuar mbi sfidat e rajonit, teksa është ndalur gjerësisht te çështja e Kosovës.
Rama ka deklaruar se mungesa e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është “elefanti në dhomë” sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se çështja mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhet vetëm me njohjen përfundimtare të Kosovës nga Beogradi, ndërsa shtoi se duke pranuar formimin e Asociacionit Albin Kurti dhe qeveria e tij kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara.
Rama u ndal edhe te konflikti në Lindjen e Mesme, duke thënë se nëse nuk tregohet kujdes në rajon, mund të ketë ndikime nga “kaosi i Hamasit” dhe “agjentët e kaosit”.
“Besoj fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë në këtë rajon pa menduar të bësh një rajon më të mirë. Në këtë botë kaq të ndërlidhur ne duhet të mësojmë të punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë na duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit tonë, rajonit edhe botës. Megjithatë kemi një “elefant në dhomë” siç është mungesa e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Ne e kemi pasur aset faktin që kemi një shoqëri me disa besime fetare dhe që pranojnë njëra-tjetrën. Ndaj besoj se lufta në Izrael është e rrezikshme , pasi Hamasi dhe ata që i mbështesin janë agjentë të kaosit. Këtë kaos duan ta përhapin kudo, jo vetëm në Lindjen e Mesme. Rajoni ynë mund të ndikohet po ashtu nëse nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe nëse nuk bëjmë çdo gjë për të mbajtur kaosin jashtë dhe të ndalojmë përfshirjen në konflikt.
Çështja mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhet me paqen përfundimtare dhe njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Ajo që ndodhi në ngjarjen tragjike në Banjskë. Përgjegjësia është shumë e qartë në këtë rast, jo vetëm për personat e përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet terroriste, por edhe përgjegjësia e Beogradit që nuk dënoi rastin, por shpalli ditë zie kombëtare për kriminelët.
Duke pranuar formimin e Asociacionit kryeministri i Kosovës dhe qeveria e Kosovës kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes.
Siç është shprehur edhe nga Kurti, kjo do të jetë e jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin”, u shpreh Rama.
360grade.al