Nga Çapajev Gjokutaj
E keni vënë re besoj, çdo vit kur përfundon panairi i librit buisin pakënaqësitë për jurinë a juritë, për çmimet dhe fituesit, për hatëre e batakçillëqe. Mbushen mediat e përmbyten rrjetet sociale me kritika, qarje e sharje.
Vështirë të thuash ku i ka rrënjët kjo pakënaqësi thuajse biblike. Mbase ka diçka që nuk shkon në vet konceptimin e çmimeve: një juri me 4 – 5 vetë e ka të pamundur të njohë dhe të vlerësojë gjithë prurjet e vitit. Janë qindra tituj, jo vetëm me poezi, prozë, krijimtari për fëmijë por edhe me përkthime, studime etj. Eshtë e pamundur që 4 – 5 veta ta njohin, ta shoshisin dhe të ndajnë grurin nga egjra në gjithë këtë krijimtari. Edhe enciklopedistët e 2-3 shekujve tē shkuar të ngjallje së vdekuri, vështirë se do të mundeshin.
Veç kësaj, dhënia e çmimeve në raste të tilla presupozon një shoqëri që lexon e diskuton gjatë gjithë vitit, krijon një opinion e një lloj hierarkie vlerash të pranuar relativisht gjerë dhe juria e eventit, me 4-5 anëtarë, shfrytëzon e legjitimon këtë punë praprake.
Ka edhe një faktor psikologjik që e bën të fortë pakënaqësinë gati totale kundër çmimeve e jurive. Shumica e atyre që shkruajnë e botojnë besojnë se janë dikush e presin vënendje, vlerësime dhe, pse jo, edhe lavdërime. Për më tepër se rrethi i miqve dhe diskutimet qoka mbushur me superlativa ua kanë rritur pritshmëritë. Në fund të panairit ndihen të humbur në lumin e botimeve të panumërta, një libër mes qindra e mijra të tjerësh, ndaj nuk i kursejnë kritikat e shpotitë për juritë dhe organizatorët.
Po mbase nuk bëjmë mirë t’ua marrim për të madhe. E ke thuajse të pamundur të gjesh një lloj përzgjedhjeje a votimi që të jetë pranuar pa kontestime. S’thonë kot se, si shoqēri jemi pjekur hënajshtë me votime e vlerësime të të gjitha llojeve.
( Nga cikli ‘Sokakëve të mediokritetit’ )