Mbi 20 ton kastravec, me përmbajtje të lartë të pesticideve, janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
AKU njofton se produkti rezultoi mbi normën e lejuar të përmbajtjes së pesticideve. Perimet janë bllokuar dhe pritet të asgjësohen. Ndërkohë, kontrollet vijojnë mbi bizneset dhe fermerët, nëse kanë respektuar rregullat e përdorimit të pesticideve.
Nga kontrollet që janë kryer nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për periudhën janar-tetor të këtij viti, rezulton se janë bllokuar në total 312 ton produkte.
“Prej janarit-tetor 2023 AKU ka pasur 238 raste të bllokimit në të gjitha drejtoritë rajonale. Produktet ushqimore kanë qenë nga më të ndryshmet duke përfshirë kosin, qumështin dhe nënproduktet e tij djathërat, mishi dhe nënproduktet e tij, sallamërat, çokollata, molto, biskota, ëmbëlsirave. Në total janë bllokuar 312.45 ton produkte”.
Kontrollet që kryhen në terren nga inspektorët e AKU, zhvillohen jo vetëm në bazë të inspektimeve rutinë por dhe me kërkesë të qytetarëve. Deri në muajin tetor ka pasur 221 raste denoncimi për produkte pa etiketë, të skaduara apo që nuk plotësojnë kushtet e duhura higjeno-sanitare.
Top Channel