Nga Lis Bukuroca
Me fitoren në zgjedhje, nuk garantohet mbetja në pushtet, por populli vetëm i shpreh besimin një apo disa partive për të përmirësuar gjendjen ekonomike, në përgjithësi për të avancuar drejtësinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Opozita në Kosovë është ish-qeveri e rrëzuar, të cilën populli e mënjanoi nga pushteti. Me qenë opozitë nuk është vetëm humbje, por edhe shpërblim, sepse populli e shkarkon një Qeveri për të përmirësuar ajo vetveten dhe për të ndryshuar politikat që shkaktuan rrëzimin: vjedhja, korrupsioni, nepotizmi dhe në përgjithësi mungesa e shtetit ligjor.
Pushteti, si kontratë e përkohshme, është rezultat i besimit të dhënë në një ditë të caktuar, por edhe hyrje në provim para popullit: vlerësimin dhe nota merret në zgjedhjet e ardhshme.
Me distancimin nga Isa Mustafa, LDK fiton më shumë elektorat. Me distancimin nga Thaçi, PDK humb elektorat. Abdixhiku duhet të ketë guxim për të profilizuar vetveten, jo guxim për ta ruajtur hijen e Mustafës. Te guximi qëndron suksesi. LDK i duhet Kosovës pa hije, por me mundësi të reja. LDK e Mustafës ka aprovuar Bashkësinë Serbe edhe në Kuvend ku 23 shkelej Kushtetuta.
Kur populli merr vendimin për të dëbuar një parti nga pushteti apo një koalicion, atëherë aty gjen zbatim fjala e urtë shqipe: ‘Kungulli nuk qëndron gjithmonë mbi ujë!’ Një ditë, edhe ai kalbet dhe fundoset. Liderët politikë zakonisht nuk fundosen, por i fundos vjedhja. Natyrisht, nëse ka shtet ligjor!
Albin Kurtit ia dhuruan me zor gati 51% LDK, PDK dhe AAK.
Opozita po merret me deklaratat e djeshme të opozitarit Kurti, Qeveria me pasojat e sotshme të nënshkrimeve të djeshme të opozitës. Kurti sot përfaqëson Kosovën, jo VV-në.
Para se të shpallet drafti aktual më i keq se parimet e firmosura nga Mustafa të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, duhet hulumtuar sa herë me të tashmin është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Dhe, nuk duhet harruar se është draft dhe nuk dihen ende vërejtjet e Qeverisë. E mundur se Qeveria i ka kundërshtuar pikërisht ato parime, që sulmohen thua se i kishte shkruar Kurti vetë.
Nëpër debate politike ka diskriminim të madh pozitiv. Në Perëndim njerëzit e padijshëm nuk ftohen për të dhënë mendime si fallxhorë me filxhana. Në Kosovë gati në çdo debate kemi një apo dy mediokritete të mëdha, që abuzohen për klikime. Ata janë viktima, sepse mendojnë se po ftohen pse dinë, e në fakt po ftohen pikërisht pse nuk dinë!
Nexhemedin Spahiu: “Shqiptarët tradhtarë gjithandej. Në Kosovë e hajnë bukën e Kosovës e bëhen me Shqipërinë, në Zvicër hajnë bukën e Zvicrës e anojnë për Kosovën!”
Ai mendim vërteton shumë bukur diskriminim pozitiv. Atë nuk do ta kishte shkruar as edhe një çoban. Pse nuk do të kishte logjikuar ashtu çobani apo pastruesi i rrugëve?
E mundur se ai do të kishte menduar kështu:
“Unë e ha bukën e Kosovës, por unë jam shqiptar. E pastaj ndoshta ajo bukë Kosove është gatuar me grurë Serbie, apo jo profesor? Nëse po, a tradhtoj Serbinë nëse mbështes Kosovën?
Nëse unë jam tifoz i Shqipërisë, jam sepse unë ndihem shqiptar dhe kufijtë shtetëror nuk i lejoj të më copëtojnë identitetin, si kombin. Jam shqiptar kudo që jetoj, edhe në Serbi.
“Mora fjalën” e ka shkruar një shqiptar dhe e këndon një shqiptare! Edhe në stadium!
Kemi apo jemi në disa shtete, por posedojmë një identitet dhe, nëse është kështu, pse të mos jem tifoz i vetvetes, por i dikujt tjetër, pse profesor?
Çobani që nuk është profesor fakulteti, do kishte mundur të mendojë edhe kështu:
“Nëse unë do të bëja tifo vetëm aty ku ha bukë, atëherë shqiptari i Luginës do të duhej të bëhej kundër Kosovës dhe pro Serbisë, i Çamërisë kund Shqipërisë, i Malit ti Zi kundër Shqipërisë, kurse diaspora gjithmonë kundër Shqipërisë dhe Kosovës. E drejtë, apo jo profesor?!
Madje çobani, edhe pse i pashkollë, si Sokrati për shembull, do të kishte mundur të pyes:
“Po pse unë nuk paskam të drejtë në demokraci të dua skuadrën që pëlqej vetë?”
Madje pastruesi i rrugëve, që mund të jetë më i urtë se shumë profesorë, do të kishte pyetur me plot naivitet:
“Pse kjo dhunë verbale ndaj meje? Pse shpallem tradhtar kur i gëzohem suksesit shqiptar?! Pse kjo logjike komuniste, përjashtuese, ekstremiste në demokraci? Bardh e zi! Mik ose armik! Atdhetar ose tradhtar!!! Unë mund të punoj në Zvicër, por mund të kem edhe pasaportë kosovare, apo jo profesor fakulteti?
Sipas tij njeriu identitetin duhet ta ndërrojë sa herë të ndryshojë vendin! Domethënë rëndësi ka ku ha, jo kush je!
Profesor, Platoni nuk kishte shkollë, por sot mësohet nëpër universitetet e botës. Mbarimi i fakultetit, apo të qenit profesor universiteti, nuk të bën të mençur!!! Jo vetëm ti, por edhe disa profesorë të tjerë e dëshmojnë këtë shpesh. Shkolla mund të furnizojë njeriun me dije, por nuk mund të dhurojë inteligjencë…
Dardan Molliqaj prezantohet si shef i një partie opozitare, edhe pse nuk dihet a ka ajo parti më shumë anëtar sesa një klasë. Edhe këtu Kosova ia tejkalon Perëndimit me diskriminim pozitiv, sepse në Perëndim ato parti nuk ftohen kurrë. Meqenëse nuk i duhen votuesit, nuk i duhet as debatit!
Ftohen njerëz nëpër debate dhe prezantohen si analistë apo “drejtorë” të gazetave online edhe pse ato portale nuk kanë as redaksi, as gazetarë. Edhe këtu ka diskriminim tepër të madh pozitiv: periferia në platformë dhe mashtro shikuesin tënd!
Në një vend ku një gazetar si Baton Haxhiu fiton 15.000 euro në muaj dhe një këshilltar i panjohur paguhet me 7.500, drejtësi dhe ardhmëri nuk ka dhe nuk mund të pritet.
Kur një skuadre i ikin lojtarët e mirë, ajo skuadër nga liga e parë, mund të bjerë në të dytën, tretën apo të katërtën. Fiton Zvicra, jo Kosova. Kur një vendi i ikin të mirët jashtë, ai popull nuk zvogëlohet vetëm, por nuk do të përparojë dhe zhvillohet kurrë sa dhe si duhet. Kjo quhet “ikje e trurit”! Aty ku nuk ka shtet ligjor emigrimi konsiderohet sukses!
Po e gjykojnë dhe shajnë draftin thua se e ka shkruar Kurti dhe thua se Kurti e ka pranuar në tërësi. Ata e dinë se, as e para, as e dyta nuk është e vërtetë, por e besojnë sepse konvenon, pa ditur se cilat komente i ka bërë Qeveria.